Më ka ndodhur një herë në një prej redaksive ku kam punuar që publikuam një video ku një sanitare merrte 200 lekë të rinj nga pacientët. Një video korrupsioni i rëndomtë, në një sistem ushqyer nga dy palë; ata që kërkojnë dhe ata që japin.
Sanitarja u shkarkua nga puna pas videos që publikuan të gjitha mediet (s’ishte e jona).
E kam të freskët ndjesinë që pata kur u ktheva në shtëpi: se sa shpejt veprohet mbi të dobëtit e fajshëm. Por bashkë me ndjesinë kam të freskët edhe pyetjen: pse ne medieve nuk na i mban t’i shkojmë në thelb korrupsionit, aty te koka.
Sepse ka dy palë, po ne harrojmë se ka një arbitër që i jep karton të kuq ose jeshil korrupsionit. Sepse nuk është drejtësia e gjykata zgjidhja, po është ajo qeveri që së pari me politika të sakta pastron barërat e këqinj.
Problemi është se te ne qeveria nuk i ka bërë BAN korrupsionit duke pastruar, stimuluar me pagesa e kushte, nderuar profesionin etj etj. Qeverisë më duket se ka nisur t’i pëlqejë të jetë palë.
Ç’kërkoj dhe unë, ne dhe spitalin po na i bën Erdogani pas 8 vitesh që na thanë se do na i bënin këta të qeverisë që kemi votuar…
Dhe që ta mbyll te ndjesia e rastit që ju tregova më lart: është gazetari e keqe të godasësh të dobëtin pa goditur në rrënjë.
Është si të pastrosh shtëpinë sipër qilimit po jo poshtë divanëve e cepave.