Kafshë dhe… kafshë
E ndërsa argëtohemi me konventa e mbledhje partish, ku njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit; ku burrë e grua në një parti bëjnë teatër me ne, e ne zgërdhihemi, sepse e marrim si komedi; e ku në një tjetër u ka humbur vula si Xhaferi identitetin; e nga ana tjetër, nëpër ekrane TV-sh dalin lloj lloj ekspertësh, me tituj pa fund e pa nam, që e lëshojnë fjalën si lopa bajgën etj etj, lexojmë që një “kafshë” ka tërhequr qenin zvarrë me makinën e tij luksoze.
Kjo macja në foto është Mila. E kemi marrë në shtëpi kur ishte pak javëshe.
Nuk është aspak e dashur. Të gërric sa herë i jepet rasti. Ndoshta është mënyra e saj si e shpreh dashurinë. Ndoshta jo.
Për shkak të Milës, e kemi ves tanimë që, kudo që shohim mace e qen, por dhe ndonjë kafshë tjetër, ta ushqejmë. Me sa mundemi.
Kafsha, kafshët si Mila – jo ata të tjerët që i tërheqin zvarrë – e meritojnë çdo shërbim ndaj tyre. Të janë mirënjohës, besoj. Edhe nëse nuk janë, pak rëndësi ka.
Çfarë ka rëndësi është dallimi që ti më në fund e kupton: dallimi mes Milës dhe racës së saj, dhe “kafshëve” mes nesh.
E si tha ai qëmoti?! Sa më shumë që i njoh njerëzit, aq më shumë i dua kafshët…
Në fund të fundit, nuk na e kanë fajin as partitë, as politika, as kafshët e kafshët… Askush!
Kemi mbetur pa shtyllë kurrizore! Ne, shoqëria 🙁