KËTË 28 NËNTOR NË PRESHEVË…
Kur ishim në Bujanoc e Preshevë, katër vite më parë, në festivalin folklorik të Bujanocit, organizuar në nderim të Heroit të Luginës, Komandant Lleshi, alias Ridvan Qazimi, gjatë vizitës në Preshevë na priti një zonjë me emrin Ardita Sinani.
Grupi ” Bilbili” axhendën e koncerteve e kishte në Bujanoc, aty ku zhvillohej festivali por kjo zonjë e nderuar dhe disa veprimtarë të tjerë preshevas, kryesisht mësues të shkollës së mesme, bënë çmos për ta organizuar edhe në Preshevë një koncert të improvizuar.
Më bëri përshtypje interesimi dhe angazhimi i kësaj zonje dhe më prezantuan se ishte përkohësisht, deri në zgjedhjet që priteshin së shpejti, në detyrën e Kryetarit të Komunës.
Tani, vetëm përpara pak ditësh, Ardita Sinani është përsëri në detyrën e Kryetares, por jo e caktuar përkohësisht, përkundrazi me mandat të plotë në qeverisjen e Komunës shqiptare të Preshevës nën Sërbi.
Një grua që rrezaton mirësi, dituri, integritet, patriotizëm e vizion të qartë.
Kemi komunikuar për të shkëmbyer urimet këto ditë, kemi folur edhe për një aktivitet kulturor gjatë muajit Nëntor, më saktë kemi folur për mundësinë e Folk Grup ” Bilbili” të jetë në Preshevë për Festën e Flamurit, 28 Nëntorin 2021.
Do të jemi pa tjetër, Kryetare Ardita, mbasi Presheva e Bujanoci e Medvegja bashkë, Lugina e gjithë është e jona e kemi obligim ti gjëndemi me gjithëshka mundemi.
Me trashëgiminë tonë shpirtërore në çdo kohë e pa cak, është më e pakta.