Qeveria, nëpërmjet MASR, me sa duket, po bën një imitim të shëmtuar të zgjedhjeve jolegjitime, nga politika në Universitete dhe po i shkon deri në fund jo legjimitetit të 30 korrikut 2020. Ato mund të konsiderohen si zgjedhje pandemike, ku fushata zgjedhore, nga një mundësi për të shpalosur programet e platformat e kandidatëve, apo për llogaridhënie para një audience sa më të gjërë studentësh e stafi akademik, u kthye në një fushatë të karakterizuar nga frika e infektimit nga korona-virusi dhe si të tilla dhe rezultati i tyre do të jetë i toksifikuar nga pandemia, por dhe me legjitimitet të cunguar si rezultat i këtyre rrethanave.
Së pari, do të jenë zgjedhje me pothuajse pjesëmarrje zero të studentëve, të cilët dhe ashtu kishin vetëm 10 % ndikim në rezultatin final, pavarësisht se ndër kërkesat e lëvizjes studentore të
dhjetorit 2018, një nga më thelbësoret ishte rritja e përfaqësimit dhe peshës së studentëve në zgjedhjet në universitete. Sidomos përfaqësuesit e studentëve në Senatet Akademike do të kenë legjitimitet të cunguar nga mospjesëmarrja e votuesve studentë. Edhe legjitimiteti i rektorëve dhe dekanëve, për të cilët duhet të votojnë dhe studentët vihet në dyshim. Parashikimi hipokrit i ministres së arsimit se do të ketë “shumë studentë” në proçes, siç kemi paralajmëruar, po rezulton një farsë, pasi studentët (edhe ata të viteve të fundit që mund të ishin prezentë) i kanë mbaruar provimet që prej 25 korrikut dhe po presin pranë familjeve të tyre vetëm provimin final të muajt gusht.
Në këtë kontekst, sa i përket përfshirjes së studentëve, premtimi i qeverisë në “Paktin për Universitetin” rezulton një farsë, ndërkohë duket se ajo ka frikë nga gjykimi i studentëve. Në këto rrethana, studentëve u lind e drejta të kthejnë legjitimitetin me anë të padive në gjykatë, protestave apo peticioneve, duke mos e pranuar rezultatin zgjedhor.
Së dyti, qeveria caktoi një datë zgjedhore krejt të paarësyeshme, në mes të pandemisë dhe në kushtet e pushimeve të verës. Ajo nuk dëgjoi zërin e arësyeshëm të sindikatës, shoqatave studentore, faktorëve të shoqërisë civile etj., të cilat bënë thirrje që ky proçes të shtyhet për një moment të dytë, ndoshta nga nëntori, kur do të plotësoheshin kushtet optimale për një garë të rregullt, transparente, gjithëpërfshirëse e me pjesëmarrje sa më të gjerë.
Së fundmi, një pjesë e madhe e stafit akademik me reputacion u tërhoq nga kandidimi, si shenjë revolte dhe mosaprovimi për organizimin e zgjedhjeve në këto kushte. Për pasojë, në mjaft universitete, fakultete e departamente konkurohet me një kandidaturë të vetme, duke u cunguar kështu pluraliteti në zgjedhje.
Në vijim paraqitet reagimi mediatik i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë dhe Letra dërguar instancave përkatëse për këtë proces