TROJA JONË !
Po vë re ditët e fundit se është nxehur së tepërmi debati virtual për të ashtuquajturën reformë elektorale, ndërkohë që me sa duket ajo është mbyllur…, por nejse etj, etj, etj.
Po, le të supozojmë se ka mbetur edhe ndonjë detaj pa u përcaktuar ende pas propozimeve “brilante” të PD për marrjen në konsideratë nga PS të barazisë gjinore në lista (se ç’punë ka një parti e bazuar mbi parime konservatore me një parim të së majtës progresiste, ec merre vesh po deshe), dhe të mos parkimit afër qendrave të votimit të makinave me armë e para të “çunave problematikë” të Damianit. ( Damiani, ra dakord për këtë pikë, dhe u betua për kokë të mamit se do ti urdhërojë “çunat” të rrinë shumë më tutje se qendra më e afërt e votimit).
Kështu që unë kam një propozim më relaksues për këtë çështje. E thjeshton shumë punën sepse zeron kostot financiare, shuan debatet dhe keqkuptimet mbi reformën dhe sistemin që do preferohet, dhe kryetarët i shkarkon nga përgjegjësia e bërjes së listave të këqija dhe jo përfaqësuese e meritokrate, si dhe i shkarkon nga përgjegjësitë e humbjes së zgjedhjeve gjithashtu.
Propozimi im është ky:
Ti vendosim të dy ushtritë, atë të pushtetit dhe të opozitës përballë njëra tjetrës në një fushë të gjerë si te filmi Troja. Ku të duan, veç jo në Dushk.
Dy komandantët, Edi me Lulin hipur mbi karrot me kuaj dhe shoqëruar nga Damiani e Oerdi që mbajnë njëherësh dhe frerët e kuajve dhe flamurët e partive, dalin para ushtrive respektive dhe në një distancë të konsiderueshme me megafon në dorë, që ti dëgjojnë të gjithë( jo pa zë si në 2017), propozojnë alternativat e zgjidhjes së ngërçit.
Midis tyre në një simetri të baraslarguar nga palët qëndron Soreca si arbitër neutral me syze të errta dielli, që askush të mos ketë mundësi ti lexojë në mimikë anësinë.
I pari e mer fjalën Edi dhe e pyet Lulin, si do ta bëjmë?
Luli duke parë nga Mona, Fatmiri, Dashi, Nardi, Dulja dhe Mesila, ( se Idrizi është me dhimbje Barku atë ditë), i thot me zë të qartë e të vendosur : Ne si opozitë e bashkuar kemi këto propozime racionale:
E para. Propozojmë ta hedhim tek a çift unë dhe ti. Kujt ti bjerë, fiton zgjedhjet. Ta them që në fillim, nëse e pranon këtë, tekun e kam vet.
E dyta. Të ndeshemi me shpatë, me ushtë, a me shigjeta unë dhe ti si komandantë. ( Nga mbrapa dëgjohet Oerdi që thotë, mos shef, se ai pi të bardhë nga ajo e Niçes dhe merr fuqi e të vret, ma ka thënë Damiani një ditë në kafe. -pusho Oerd, se ti nuk i di të gjitha, do ti japin niseshte atë ditë se janë prishur në pazar, më siguroi qytetari dixhital).
E treta. Secila nga ushtritë të nxjerë më trimin e saj. Të ndeshen në fushë të burrave, ose me mundje klasike me trupat e lyer me vaj, ose me boks a kikboks deri në vdekje, ose me shpata dhe me thika, por pa mburoja. Kështu nuk ka pse vriten as ushtritë dhe as komandantët. Fituesi i merr të gjitha. (Sa e dëgjoi, Oerdit sa nuk i ra të fikët. Edi se ç’i tha Damjanit, nuk u dëgjua, por u pa që Damiani qeshi).
Edvini, pasi morri një qëndrim prej të urti si të Ismail Qemalit, fërkoi njëherë lehtë majën e mjekrës dhe ashtu hipur mbi karro, thotë:
-Ok. Më pëlqen shumë ky varjanti 3. Le të ndeshen përfaqësuesit tanë të Këshillit Politik.
Luli kthehet nga Oerdi dhe e pyet. Si thua e ha dot Damianin? Apo të çojmë Tit Vasilin? Më duket më inatçor ai.
Jo Shef, i thotë Oerdi, është i lodhur Vasili le seç duket ashtu, bën kot si nevrik, pastaj ku kanë besë këta të Lsi-së aman? I fut ndonjë çek të majmë nën dorë Damjani, dhe shtrihet si i mundur ky pastaj. Nardi do ta bënte mirë, por s’është në Këshill. Po shkoj vet.
Dhe kështu miq, zgjidhet kollaj kjo punë. Të gjitha palët mbeten të kënaqura. Kush fiton duelin, fiton zgjedhjet, si në Greqinë e lashtë. Jo vota, jo kryetarë, jo lista, jo sisteme, jo debate, jo demokraci, jo fushata, jo para, jo qejfëmbetje, të gjitha këto janë të kota dhe burim konfliktesh. Mbi të gjitha, cënojnë dhe stabilitetin e vendit e të rajonit.
Deri sa të vijë dita e betejës që do ta shpallë Presidenti “Danez”, palët do ulin tensionet. Shqipëria dhe rajoni do jenë në paqe. Nuk do ketë as konflikte të brendshme politike, as aludime konspiracioniste për pazare a aleanca të fshehta midis kryetarëve. Do digjen edhe të gjitha skenaret serbe të destabilitetit. Mirë do jetë edhe për ndërkombëtarët, se kush rri merret me tre katër aktorë kryeneçë të politikës ballkanike shqiptare, ndërkohë që ky sistem dyluftimi u jep mundësinë të merren vetëm me fituesin si partner legjitim. Kështu që dhe ndërkombëtarët fokusohen më shumë te sfida e tyre jetike, që është edhe jona, te reforma në drejtësi.
Ndaj, nëse pranohet propozimi im, i vetmi moment që do kërkojë angazhim të specializuar do jetë kujdesi për muskujt e Oerdit që të na mundë atë ditën e “pashkës së madhe” Damian hajdutin. Por mbi të gjitha, të kujdesemi se mos dikush na i mërzit Oerdin, e s’na futet fare në betejë, dhe ik pastaj tu lutemi muzave , “çlironi ju o muza, mëninë e Oerd Pelidit…”
Kështu dhe kryetari fitues do ta ketë gjiiithëëë pushtetin për vete dhe përveç Oerdit, askujt tjetër s’do t’ia ketë për bereqavre fitoren. E ndiej që tani që për shkak të kësaj ideje sempliste do të më marrin inat ai grupi i vogël që prisnin shumë t’ ua dinte për nder Kryetari leximin e deklaratave të shtypit që përfundonin gjithmonë me frazën lapidar “se paskësaj Edi Rama dhe banda e tij kriminale, i kanë të numëruara ditët e tyre në pushtet”, por pa merak u them, se prapë Ai i ka me sy të mirë. Mjafton që gjatë kësaj kohe të mos bëjnë shamata, por të rrinë urtë e të kujdesen për shëndetin e Oerdit.
PS: I kërkoj ndjesë Oerdit, kam shumë respekt për të personalisht !