“Sa më shumë i njoh njerëzit, aq më shumë i dua kafshët”.
Namir Lapardhaja thotë, që pabesia dhe servilizmi, janë vetëm punë shqiptarësh.
Në fakt nuk janë vetëm punë shqiptarësh, janë punë njerëzish të neveritshëm.
Kam parë nga ata, që i kanë dalë tani kundër Bashës, por që disa muaj më parë i serviloseshin në mënyrën më të neveritshme, para se të bëheshin deputetë. Kur them të neveritshme, nuk gjej dot një fjalë tjetër në fjalorin e shqipes për ta përshkruar atë gjendje të pështirë, në të cilën i kam parë këta vemje që i kanë marrë gjithçka kësaj partie dhe demokratëve, si në pushtet dje, edhe në opozitë sot.
Kam parë prej tyre që i janë ulur në gjunjë Bashës gjatë fushatës, i kanë marrë dorën mes duarve të tyre dhe ia kanë puthur, siç ia puthin Baba Mondit, pelegrinët e dëshiruar për pak fat më të mirë gjatë festave në malin e Tomorit, duke u lutur: “Aman Baba Tomor të qofsha falë, bekoje dhe mbroje familjen time, duke i dhënë shëndet e para!”
Tani, po këta lëpirësa e jargashë, që pështyma u binte nga goja, e zëri u dridhej nga emocioni kur e quanin me pathos atë, L. Bashën, “Liderin Perëndimor, liderin e së ardhmes dhe kryeministrin normal, për të cilin kish nevojë Shqipëria”.
Dhe ta imagjinosh që të gjitha këto kanë ndodhur vetëm disa muaj më parë. (Pas ca ditësh do t’i përmend me emra në televizor.)
Kështu, që siç thoshte Adriano Çelentano në një komedi të tij për inat të Ornela Mutit:
“Sa më shumë i njoh njerëzit, aq më shumë i dua kafshët.”