ME BLERTA TAFANI, DREJTUESE E SPEKTAKLIT “NJË NATË SA NJË JETË”.
Spektakli “Një natë sa një jetë” nuk është kryevepër, por është vepër e Blerta Tafanit, mbretëreshës së ekranit të Radio Televizionit Shqiptar.
Ajo është sot një nga gazetaret dhe moderatoret e shquara plot ide dhe talent, pasi gjatë karrierës së saj ka bërë emër jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në të gjithë hapsirën e trojeve ku jetojnë e punojnë bashkatdhetarët tanë, deri në Diasporë.
Eksperienca e fituar në televizion ka bërë që ajo të krijojë formatin televiziv “Një natë sa nje jetë”, që çdo javë në datën dhe orën e caktuar sjell para publikut dhe telespektatorit minuta të këndshme me personalitete të shkencës, artit, kulturës dhe sportit, që kanë bërë ose bëjnë emër në karrierën e tyre.
A ka gjë më të bukur se të ulesh në një ambjent të ngrohtë e të ndjekësh me interes një program ku drejton me aq talent, pasion e kompetencë, një moderatore si Blerta Tafani që me komunikim të ndërsjelltë e plotëson jo vetëm me dialogun e këndshëm e profesional, por edhe me paraqitjen e saj fizike, një element i domosdoshëm për spikere e moderatore të këtij niveli.
Ajo me talentin e saj ndërton ura komunikimi mes artistëve në skenë dhe publikut në sallë.
Blerta punon me artistët, përjeton emocionet dhe pasionet e këngëtarëve, aq sa të frymëzon nga mënyra se si ajo moderon me temperamentin e saj improvizues, në faktin që ritmi dhe emocioni janë një ndër shtyllat kryesore të interpretimit të një skenari, ku Blerta gjithmonë është në sinkron të plotë në çdo moment, duke sjell adrenalinën e duhur që është pjesë e shijeve dhe emocioneve të publikut.
Blerta Tafani me atë përkëdhelinë e vet, me një pozitivitet të jashtëzakonshëm që te grimi, e deri në skenë, është shumë elegante me publikun.
Ajo nuk kërkon protagonizëm për të hyrë tek publiku shqiptar për të dalë mbi skenarin, përkundrazi me shumë elegancë dhe me formim të mirë, ajo kupton çdo situatë dhe jo më kot e ka përqafuar këtë stil të saj të moderimit, duke krijuar portretin dhe emrin e vet.
Besoj se ky është edhe opinioni i të tjerëve që e njohin dhe e presin me kënaqësi në ekran dhe në skenë, si një rreze dielli që rrezaton pozitivitet, me një sfond që përçon adrenalinë, talent e profesionalizëm.