LULEBORË PLOT AROMË
U zhvillua me sukses edicioni i gjashtë i Festivalit “Luleborë”
Ëmbël tingëllon emri luleborë në bisedat e shkodranëve sa herë bie rasti ta lakojnë si kryefjalë të diskutimit, por akoma më këndshëm dhe më me kuptim bëhet ajo kur zëmë të diskutojmë për festivalin “Luleborë” që mbart emrin e kësaj luleje plot hijeshi, të pagëzuar si mbretëresha e luleve në oborret shkodrane.
Prej vitesh ky festival sa vjen e bëhet më i dashur dhe i adhuruar për artëdashësit shkodranë e jo vetëm, të cilët nuk e shohin thjeshtë si argëtim, por e përjetojnë me emocione të forta çdo prurje të re, e cila si askund tjetër, kritikun dhe spektatorin i ka një, i ka në sallë dhe bën të mundur nxitjen dhe inkurajimin për përsosmërin e tyre dhe ruajtjen e kritereve të trashëgimit të këngës së bukur qytetare.
U bë një kohë e gjatë që kjo krijimtari nuk e pai fatin t’i dhurohej spektatorëve të mrekullueshëm në sallën e Teatrit “Migjeni”, këto këngë të bukura, ashtu siç Shkodra di t’i dhurojë, ashtu si sportistët në fushë nuk shijuan ovacionet e spektatorëve, ashtu si një çift i martuar nuk e përjetoi shpërthimin e dasmorëve në dasëm, ashtu si një nxënës në klasë për disa muaj nuk i përjetoi çapkënlleqet me shokët e klasës së tij, për shkak të pandemisë që paralizoi edhe jeten sociale dhe kulturore të vendit tonë.
Për të gjitha këto ndoshta sot unë jam më i lumtur që në shkrimin tim të rikthej një koncert live, një aksion me personazhe, artistë të mrekullueshëm, që sfidojnë çdo anë të errët që ka tentuar të gjunjëzojë njerëzimin.
Në Teatrin “Migjeni” përfundoi me sukses edicioni i gjashtë i Festivalit të Këngës Qytetare “Luleborë”, një organizim i madh kulturor, i cili nuk është më një projekt, por eveniment, një realitet i mundësuar nga Bashkia Shkodër dhe Teatri “Migjeni” me ekipin realizues, pasi pas rreth 30 viteve, 6 vjetë më parë u rikthye në jetën artistike të qytetit, por jo vetëm kaq, por edhe në atë sociale, pasi qyteti i Shkodrës nuk ndjehet mirë kur në teatrin e tij mungojnë shfaqjet, koncertet e festivalet, kur në stadiumin e tij dhe në pallatin e sportit mungojnë vajzat dhe djemtë sportistë, nuk ndjehet mirë kur në bibliotekën e qytetit mungojnë promovimet e shkrimtarëve dhe poetëve të rinj.
Publiku shkodran për dy net me radhë ndoqi performancën e këngëtarëve të mrekullueshëm, që interpretuan 16 këngë të reja të autorëve të njohur e të ri, duke u suprizuar nga rikthimi në skenë pas shumë vitesh i artistes së madhe Justina Aliaj, e cila plot energji dhe freski performoi në skenën e këtij festivali, duke merituar duartrokitjet e publikut.
Çdo vit po kthehen në folenë e tyre, në Shkodren e luleborës e karajfilave, për ngjarje të rëndësishme artistike, siç është Festivali “Lulebore”, emra të mëdhenj të këtij qyteti. Sivjet ishte surpriza e kësaj pjesmarrje, Justina Aliaj. E kush nuk e njeh artisten e madhe të skenës, shpirtin e lirë që si në këngë dhe në aktrim ka shkëlqyer përherë. Shkodra di të rrezatojë edhe në kohë të veshtira! Rikthimin e saj në skenë ajo e përjetoi me plot emocione në këtë festival.
Shkodra ka një traditë të mrekullueshme të kulturës dhe të muzikës. Konsiderohet si qytet muzikantësh dhe është shumë normale që të bësh një festival, jo vetëm si ky, por edhe festivale të tjera duhet të ketë, pasi kjo është një specifikë që i dedikohet një krijimi, pra të ketë edhe formate të tjera ashtu siç është emblemë e këngës shqiptare, “Lulebora” që ka pushtuar zemrat dhe është e freskët.
Djepi i artit dhe i kulturës, vazhdon të përkundet, sepse këtë djep e përkund me këngën e saj një nënë që nuk i vë rëndësi paraqitjes së saj, por dashurisë që ka për atë që përkund. Kjo është Shkodra, e cila kështu ka qenë dhe do të jetë.
Në këtë festival u ngjitën në skenë këngëtarë të rinj shumë të talentuar dhe këngëtarë të afirmuar. Nga Kosova zgjodhi të bëhej pjesë edhe kantautori Artan Bakia, i cili vlersoj realizimin e këtij festivali dhe vlerat muzikore që ai përcjell.
Skena kishte një pamje pranvere të shkëlqyer që përkëdhelte Luleboren dhe aroma e saj kishte përfshirë gjithë qytetin. Një skenë plot me lule ku lulëzuan edhe zërat e bukur të qyteti të Shkodrës si në një festë të vërtetë.
Festivalin e hapi këngëtarja simpatike dhe e talentuar Klodina Vata me këngën “Tatuazhi”, teksti nga Ramazan Çeka, muzika Artion Qamili, orkestruar nga Markelian Kapidani.
Festivali “Luleborë” në konceptin e Festivalit të muzikës së lehtë e ka fillesën disa muaj para filllimit të Festivalit të Radios në Tiranë në vitin 1962, kur kompozitori i madh Prenk Jakova ishte në kulmet e tij artistike dhe shoqërohej nga një orkestër që përbëhej nga 15 instrumentist që u prit shumë mirë nga publiku.
“Lulebora” sot shoqërohet nga një orkestër që përbëhet nga 20 instrumentist të mrekullueshëm, vazhdues të denjë të paraardhësve të vet.
Puna me aq profesionalizëm e mjeshtrave Shpëtim Saraçi dhe Markelian Kapidani si udhëheqës artistik ishte qershia mbi tortë, punë që veç ato dinë ta bëjnë kaq mirë. Ajo që vlen të theksohet është se këtë orkestër virtuoze e drejtonte djali i një virtuozi të humorit shqiptar, djali i humoristit të shquar, Zef Deda “Mjeshtër i Madh”, pra ishte Mario Deda ai që me shumë përkushtim përcolli këngët në mënyrë profesionale dhe bashkëkohore dhe ishte një nga pikat e forta të festivalit.
Pjesa më e ndritshme e këtij festivali përveç krijimeve dhe interpretimeve të shkëlqyera nga zërat brilant të këngëtarëve, ishte edhe orkestra shumë e përgatitur dhe stafi teknik ku secili është më artist se tjetri.
Ishte një trupë ku çdo pjesë kishte rolin e vet, pjesë që shihen dhe që nuk shihen, pjesë e rëndësishme e cilësisë së një shfaqeje, duke filluar me platformen muzikore e kujdesin për te, duke vazhduar me ndjesinë vizuale artistike të skenës, për të cilën duhet falenderuar drejtoresha e Teatrit “Migjeni” Rita Gjeka “Mjeshtre e Madhe” si regjisore, e cila arriti të mishërojë të gjithë komponentët artistikë, skenaristja Ermira Alia dhe libreti i përgatitur me nivel të lartë artistik dhe me profesionalizëm, së bashku me moderatorët e mrekullueshëm plot sharm dhe elegancë Enkel Demi-gazetar e shkrimtar, Rosela Gjylbegu-këngëtare, si dhe hijeshija e finesa e skenografisë së Divni Gushtës, arritën të krijojnë kurorën e “Luleborës”.
Këngëtarë pjesëmarrës në këtë festivalit ishin: Justina Aliaj, Artan Bakia, Klodiana Brahimi, Rezarta Smaja, Orjeta Kelaj, Blerta Cina, Klodiana Vata, Glerdit Turmetaj, Elsida Sinaj, Saviana Vjerdha, Ademir Fresku, Xhuli Pjetraj, Laorjan Ejlli, Marjana Serreqi, Ylber Tahiri, Jozefina Simoni, Ana Bushgjoka, dhe Liticia Gargjola.
Melodia e këtij festivali ishin kompozitorët: Edmond Zhulali, Florent Boshnjaku, Aleksandër Jakova, Ilir Zoga, Enis Mullaj, Namik Jahja, Roland Guli, Bardhyl Hysa, Artion Qamili, Orges Toçe, Alban Krajni dhe Almarin Zadeja.
Një krijimtari brilante sollën edhe poetët: Jorga Papingji, Alfred Çapaliku, Pandi Laço, Ramazan Çeka, Meri Guli, Arjola Zadrima, Nesti Gjoni dhe Erjona Rushiti.
Një larmi dhe ritëm i dhanë këtij festivali edhe dirigjentët e mrekullueshëm: Jetmir Barbullushi, Ilir Zoga dhe Griti Kraja.
Që nga fillimi i kësaj veprimtarie e deri në edicionin e këtij viti është iniciuar, mbajtur dhe fuqizuar në sajë të dy grave të forta e të palodhura që janë Kryetarja e Bashkisë znj. Voltana Ademi dhe drejtoresha e Teatrit “Migjeni” znj. Rita Gjeka, të cilat me dëshirën e madhe po e çojnë Shkodrën drejt një vizioni kulturor, që kapërcen institucionalisht kufijtë lokal.
Me shumë nostalgji u përkujtua muzikanti, trompisti Sokol Marku dhe mjeshtri i madh i dirigjimit Kujtim Alia dhe nën bekimin e tyre festivali vazhdoi me këngën “Andrra e jetës” me tekst të Ndre Mjedës e kompozuar dhe orkesruar nga vetë kantautori nga Kosova Artan Bakia, i cili është edhe kryeredaktor i Radio Dukagjinit.
Në këtë festival mori pjesë edhe një nga kompozitorët më të shquar të muzikës shqipetare, maestro Florent Boshnjaku, i cili këtë vit pasuroi Festivalin “Luleborë” duke na dhuruar një perlë nga ato më të përkryerat që vetëm ai di të bëjë kaq bukur. Ai erdhi në këtë festival me kompozimin dhe orkestrimin e këngës “Si në andërr”.
Vlen të theksohet se në këtë edicion të këtij festivali është shtuar edhe një detaj i rëndësishëm. Të gjitha këngët konkuruese janë hedhur në një platformë dixhitale, siç është You Tube, për t’u dëgjuar dhe perceptuar më mirë nga publiku.
Pjesë e këtij festivali ishin edhe aktorët Fritz Selmani, Jozef Shiroka dhe Kristi Lleshi, të cilët me interpretimin e tyre dhuruan emocione të forta për spektatorin.
Në këtë festival u interpretuan edhe dy këngë të komozitorit të madh Simon Gjoni të lëna në dorëshkrim të pakënduara më parë, që ruajnë akoma aromen e Shkodrës dhe freskinë e kohës. Autorët e teksteve janë: Aleksandër Banushi dhe Zef Leka, me titull “Moj syshkrume” dhe “Pash dy sytë e tu si drita”, të orkestruara në një kolazh nga mjeshtri Shpëtim Saraçi dhe Markelian Kapidani dhe që i këndoi Rosela Gjylbegu.
Kurorëzimi i edicionit të gjashtë të Festivalit “Luleborë” tregoi edhe një herë tjetër vlerat artistike të qytetit të Shkodrës, e cila ruan traditën e saj të bukur dhe ia përcjellë brezit të ri.
Ishin 16 këngë të reja në këtë festival të përzgjedhura nga 34 kompozime, gjeografia e të cilave është rritur dhe për vlerësimin e tyre ishte ngritur një juri që përbëhej nga: Maestro Zhani Ciko-kryetar, Osman Mula-kompozitor dhe regjisor, Kozeta Kurti- gazetare, Gjon Shllaku-kompozitor dhe dirigjent, si dhe artisti Andis Gjoni, djali i kompozitorit Simon Gjoni, koreograf i njohur në Amerikë, i cili dhuroi një çmim të veçantë për Festivalin “Luleborë”, një gjest dashurie dhe respekti, si dhe një motiv më shumë për këtë festival.
Juria e Festivalit e kryesuar nga maestro Zhani Ciko vendosi të nderoi me çmimin e karrierës këngëtarën e shquar Justina Aliaj, me këngën “Ty me t’kujtu” me tekst të Pandi Laços dhe muzikë të Aleksandër Jakovës.
Rezarta Smaja me këngën “Si në andërr”, një komozim dhe orkestrim i maestro Florent Boshnjakut, me tekst të Artila Zadrimës u shpall fituese e çmimit të parë e Festivalit “Luleborë” në Shkodër.
Me çmim të dytë u vlerësua dueti Saviana Vjerdha dhe Ademir Fresku me këngën “Sa bukur” me tekst dhe muzikë të maestro Mario Dedës.
Ndërsa me çmimin e tretë u vlerësua këngëtarja Jozefina Simoni me këngën “Pa adresë” me tekst dhe muzikë nga Orges Toçe, orkestrimi: Markelian Kapidani.
Çmimin e veçantë “Simon Gjoni” si interpretuesi më i mirë e fitoi këngëtari Laorjan Ejlli me këngën “Mall” me tekst të Jorgo Papingjit dhe muzikë të Almarin Zadejës, orkestruar nga Endri Sina.
“Luleborë” mbetet pa diskutim një rikthim i traditës së Festivalit të Këngës Qytetare, i cili 60 vite më parë pati edicionin e tij të parë në Shkodër e që sot sjell për publikun magjinë e artit të bukur.
Në këtë shkrim dua të vlerësoj edhe përkushtimin e gazetarëve Bepin Kolvata dhe Senat Nikshiqi për intervistimin e këtyre artistëve pas përfundimit të festivalit, por edhe moderatoren e talentuar Linda Kavaja që ishte e pranishme në çdo moment për të evidentuar vlerat e këngëtarëve dhe artistëve të tjerë pjesëmarrës.
Është bukur të dëshmosh dhe të shkruash për dukuri dhe ngjarje që i japin jetë Shkodrës, “Djepit të kulturës shqiptare”. Krenari që nuk përshkruhet me fjalë për çka meriton respekt e gjithë trupa e artistëve që i fali Shkodrës këtë freski dhe Bashkia Shkodër që u dha atyre këtë mundësi. Këtë kënaqësi e kam ndjerë edhe unë, jo vetëm kur ndoqa festivalin, por edhe kur u ula të shkruaj këtë artikull.
Festivali u regjistrua nga Radio Televizioni Shqiptar.