Zhvillimet e fundit në vend dhe në rajon, për kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi, kanë një tjetër perceptim dhe panoramë. Në një intervistë për ‘Tsarizm’ me dy gazetarët amerikanë Christine Dolan dhe L Todd Wood, Kryemadhi ka dhënë opinionet dhe qëndrimin e saj lidhur me disa nga ngjarjet më kyçe të aktualitetit.
Teksa gazetarja Dolan iu drejtua duke e quajtur ‘Zonja e Parë’, Kryemadhi kërkoi që mos ta përdorte atë emërtim. “Dhe nuk do më pëlqente të më quanit “Zonja e Parë” sepse në Shqipëri nuk është një institucion. Ndaj do të doja më mirë më thërrisnit thjesht Monika nga Shqipëria ose anëtare e Parlamentit,” tha Kryemadhi.
Për Ramën, Kryemadhi i kurseu kritikat. I vetmi koment që bëri ishte “vetëm do të lutëm për të që ai të largohet nga Shqipëria.”
Kryemadhi komentoi ardhjen dhe strehimin e afganëve në Shqipëri, të cilët ajo preferoi mos t’i quante refugjatë, por mysafirë të ardhur në Shqipëri. Kryemadhi kritikoi qeverinë për politikat e ndjekur, pasi sipas saj nëse do të ishin më transparente, shqiptarët do të mund të krijonin më shumë mundësi për strehimin e të huajve.
“Në Shqipëri nuk do të na pëlqente t’i quanim refugjatë, por do të na pëlqente t’i konsideronim mysafirë, sepse duam të krijojmë mundësi për ta. Nëse qeveria nuk është transparente njerëzit do të jenë të frikësuar se çfarë po ndodh cilët janë ata që do të vijnë. Nëse politikat do të ishin më transparente, t’i shpjegonin qytetarëve se çfarë po ndodh, si është situata, nëse qeveria do të ishte më e hapur, atëherë edhe shqiptarët do të jenë më të sinqertë të krijojnë më shumë mundësi për të akomoduar mysafirët apo edhe refugjatët”, tha kryetarja e LSI-së.
Teksa komentoi situatën mes Kosovës dhe Serbisë, Kryemadhi pati edhe disa rezerva për nismën ‘Open Balkan’, një iniciativë e tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Kryemadhi nënvizoi se ‘Ballkani i Hapur’ mund të jetë një nismë e mirë, vetëm nëse Kosova njihet dhe pranohet nga Serbia me të drejta të barabarta si shtetet e tjera.
Kryetarja e LSI-së e sheh ‘Ballkanin e Hapur’ si një nismë paralele me Procesin e Berlinit. Për Kryemadhin e ardhmja Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, është BE-ja dhe SHBA-ja.