15 TETOR 1944 – DITA E ÇLIRIMIT TË FIERIT Më 15 tetor 1944, është dita e çlirimit të qytetit të Fierit prej pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Kjo date, sjell çdo vit tek ne, përjetime të thella krenarie dhe dinjiteti të ligjshëm për heroizmin e pashembullt dhe gjakun e derdhur nga të parët tanë.
Populli i Fierit, Myzeqesë dhe Mallakastrës, ashtu si mbarë populli ynë liridashës është ballafaquar me fashizmin që në orët e para të pushtimit të vendit. 100 burra e djem vullnetarë fierak, u nisën më 7 prill të vitit 1939, në dy drejtime; Vlorë dhe Seman, për të pritur armikun me grykën e pushkës sapo ai të shkelte tokën shqiptare. Ata zhvilluan përpjekje të ashpra në kodrat e Bestrovës, ku mbeti i vrarë Hamdi Metaj nga fshati Peshtan duke shënuar kështu dëshmorin e parë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për rrethin e Fierit.
Mbas pushtimit të vendit, ashtu si kudo, edhe në Fier filloi organizimin ilegal i rezistencës popullore. Pak ditë më vonë dhe pikërisht më 26 maj 1939 shënohen fillesat e para të aksioneve popullore me thyerjen e izolatorëve të linjave telefonike Fier – Vlorë dhe Fier – Lushnje.
Pas pushtimit të Shqipërisë, Italia fashiste filloi të organizonte edhe pushtimin e Greqisë. Sipas këtij plani ajo instaloi në Fier një nga prapavijat e saj aktive, shtabi i së cilës u vendos në shtëpinë e Stavri Lakos në lagjen “Pasha”. Segmente të tjera ushtarake u vendosën në shtëpinë e Kallogjerëve dhe shtëpinë e Moçëve. Ky strehim në shtëpitë e banuara të qytetarëve fierak, u bë me qellim që të përdorej popullsia civile e këtij qyteti si mburojë nga sulmet e aviacionit britanik. Pikërisht kjo manovër u shkaktoi fierakëve dëme të pallogaritëshme në humbjen e jetës së njerëzve dhe shkatërrimin e pasurisë dhe shtëpive të tyre të banimit.
Më 26 shkurt 1941, anglezët bombarduan Fierin në një vijë zjarri intensive e cila fillonte nga familja e Bitollarëve në Qenas, vazhdonte në shtëpinë e Gaq Papës (lokali i sotëm ALPAR), në vilën e Kallogjerëvë në lagjen “Pasha” dhe vazhdonte përgjatë drejtimit veri – lindor duke krijuar një vatër të gjerë pranë shkollës së muzikës dhe përtej rrugës në lagjet “Liri” dhe “Bishanakë”. Mbi banesat e popullsisë civile u hodhën 25 bomba të kalibrit të madh dhe 56 bomba të kalibrit të vogël. Si pasojë, nga popullsia civile mbetën të vdekur 18 persona dhe 28 të plagosur. Kjo masakër ishte tragjedia më e madhe civile e ndodhur ndonjëherë në këtë qytet dhe kjo e nxiti edhe më shumë urrejtjen popullore ndaj pushtuesve.
Më 26 maj të po këtij viti në Fier u ndërmor aksioni i parë për thyerjen e izolatorëve të linjave telefonike Fier –Vlorë dhe Fier – Lushnje.
Më 27 qershor 1941, nga Tirana dërgohet në Fier trakti i parë i cili denonconte sulmin e Gjermanisë hitleriane ndaj Bashkimit Sovjetik. Ky trakt u shoqërua me punë të gjithanëshme agjitativo – prapagandistike dhe po ato ditë, nëpër muret e dyqaneve, shtëpive dhe institucioneve shtetërore të qytetit, u shfaqën të shkruara, parrullat e para kundër armikut.Ky aksion bëri që Françesko Jakomoni, mëkëmbësi i Mbretit Viktor Emanueli III, të urdhëronte urgjent formimin e një komisioni për marrjen e masave të “internimit të disa njerëzve të rrezikshëm që prishnin qetësinë në vend.”
Fieri është radhitur gjithashtu edhe ndër qytetet e parë të vendit, që filloi ngritjen e strukturave të veta politike të cilat u shoqëruan me veprime të menjëhershme luftarake.
Më 8 shkurt 1942, në lagjen Shkozë, në shtëpinë e Jorgji Kovaçit u formua celula e parë e PKSH-së për Fierin me sekretar politik Rafael Petron. Më vonë në qytetin e Fierit u formua edhe celula e PK me pjesëmarrjen e grave. Sekretare e kësaj celule u zgjodh Shpresa Hoxha (Fuga).
Fill mbas kësaj date, më 10 shkurt, guerilasit e qytetit kryen me sukses aksionin e parë të zgjeruar me ambicie serioze i cili rezultoi me lirimin nga burgu të 5 jugosllavëve emigrant antifashistë të burgosur në Fier. Po këtë muaj, në Çeligrad, instalohet baza e parë e teknikës së PKSH për Fierin.
Më 16 prill në Mbyet, në vendin e quajtur “Pylli i Zog Naçit” u formua Organizata e Rinisë Antifashiste me sekretar politik Rauf Nallbanin. Pak ditë më vonë, i alarmuar nga këto lëvizje të papritura, armiku ndërmori kundërveprime të egra.
Më 20 maj, u zbulua vendi sekret i instalimit të teknikës ilegale dhe u arrestuan 23 vetë, të cilët u dërguan menjëherë në burgjet e Tiranës. Por kjo masë repressive e armikut nuk i ndërpreu dhe as i fashiti përpjekjet e guerilasve të qytetit, për të organizuar aksione të tjera të suksesshme. Sepse tashmë, lëvizja e rezistencës antifashiste kishte arritur të merrte përmasa të gjera popullore, aq sa të angazhonte në radhët e saj edhe fëmijët, të cilët më 10 nëntor 1942, tek ara e Papuçinjve ku sot është parku “Rinia”, formuan organizatën e DEBATIK – ut (Djemtë e bashkuar, anëtar të ideve komuniste). Përgjegjës i kësaj organizate ishte Vasillaq Ikonomi dhe Sokrat Bele.
Më 20 tetor formohet Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar, i cili nisi si një aksion i zgjeruar për krijimin e kësaj strukture në çdo fshatë të rrethit duke marrë mbi vete autoritetin e pushtetit të ri popullorë. Për qytetin e Fierit kryetar i këtij Këshilli u zgjodh Xoxi Xaxa, ndërsa në krahinën e Cakranit Nuredin Aliu, të Roskovecit Rrapo Kuka, të Libofshës, Zoi Ndreko, të Frakullës Dalip Troka dhe të Semanit Nuri Çuçi.
Më 25 tetor, në shtëpinë e Xhemil Muços, u formua Këshilli i Gruas Antifashiste Shqiptare. Kryetare e këtij forumi u zgjodh në fillim Shpresa Hoxha e më vonë Refije Muço.
Mbas krijimit të këtyre strukturave kudo punohej për organizimin e kryengritjes së armatosur. Tashmë qellimi kryesor ishte formimi i formacioneve ushtarake dhe zgjerimi i tyre me luftëtarë të rinj.
Lëvizja e forcave çlirimtare po merrte përpjestime aq të mëdha sa pushtuesi Italian në përpjekje për të përballuar situatën aktuale angazhoi kundër tyre bashkëpunëtorët e tij më kriminal. Më 26 nëndor 1942, Komandanti i Karabinerisë Mbretërore Marshall Martini Antonio, në mënyrë paradoksale gradon gjeneral kriminelin Isa Toska.
“Siç keni marrë dhe urdhrin e maparshmë se si mbas propozimit tonë, mëkëmbësi i Përgjithshëm i Naltmadhnisë së tij Viktor Emanuelit III në Shqipëri e Mbret i Italisë, Shqipërisë dhe Perandor i Etiopisë, ini falur dhe emnue me gradën general, që të punoni me fuqitë civile, tue mbajt dhe ruajt si vendin tuaj ashtu pritet nga ju dhe ruajtja e gjitheë Prefekturës Beratit, për të mos u shkelur nga disa të poshtër dhe të ashtuquajtur komunista.”
Më 10 Janar 1943 në Jagodinë u formua çeta e parë partizane në zonën e Roskovecit me komandant Sotir Kola dhe komisar Miti Bozo. Ndërkohë filluan aksionet e rëndësishme kundër forcave pushtuese dhe bashkëpunëtorëve të tyre dhe pikërisht një muaj më vonë, më 10 shkurt forcat partizane sulmuan forcat e garnizonit fashist në Patos duke i shkaktuar armikut 20 të vrarë e të plagosur.
Më 3 mars 1943, në Kraps u formua çeta partizane “Ismail Qemali”. Në fillim të qershorit, armiku ndërmori një operacion ndëshkimor në fshatrat Mbyet, Plyk, Kraps, Seman etj. U dogjën lagje të tëra, u rënuan shtëpi, të mbjella, u shfarosën bagëti dhe u kryen raprezalie të papara në popull. Por popullsia, këtyre masakrave ju përgjigj me shtimin e radhëve partizane me luftëtarë të rinj.
Më më 25 gusht 1943, në Suk formohet Batalioni “Tofik Lapani”, me komandant Hysen Velmishi dhe komisar Tako Baçi. Ky ishte batalioni i parë partisan në rrethin e Fierit. Më 23 shtator të këtij viti në pyllin e Lili Stefit në Seman u krijua batalioni “Semani”, me komandant Halit Kaçanollin dhe komisar Andon Profka.
Më 8 shtator Italia fashiste kapitullon në mënyrë të turpëshme dhe më 10 shtator, në Fier, Lushnje dhe Berat futet ushtria gjermane. Më 13 shtator në përpjekje për tu lidhur me pushtuesit e rinj vritet krimineli Isa Toska dhe popullsia fierake njohu masakrën e dytë civile nga ushtria gjermane ku ngelën të vrarë 13 qytetar të pafajshëm.
Të nesërmen e kësaj date, më 14 shtator 1943, në Fier ndodh një nga ngjarjet më të rëndësishme të kësaj periudhe. Brenda një dite dualën partizane 68 vajza fierake. Me aktin e tyre heroik, këto vajza, i dhanë qytetit të tyre të lindjes një emër të nderuar, duke e konsoliduar atë në mënyrë të pashlyeshme në faqen historike të kësaj lufte.
Më 20 tetor në Symizë të Fratanit formohet Grupi i Tretë Fier – Mallakastër me komandant Ferrik Hado dhe më vonë Qamil Hamzo ndërsa komisar Gjon Banushi e më vonë Bexhet Mema.
Më 4 nëntor në Zharrez krijohet një tjetër formacion luftarak, Batalioni “Petro Sota” me komandant Çelo Arrëza dhe komisar Josif Pogaçe. Ndërkohë, në 20 fshatra, u krijuan çetat territoriale të cilat përfshinin rreth 638 forca rezervë të prapavijës.
Pushtuesi gjerman erdhi me urën e zjarrit në dorë dhe dogji, vrau, internoi e masakroi qindra e mijra njerëz.
Organizimi dhe sakrifica vetmohuese e forcave partizane u shfaq dukshëm në luftën e Kalasë së Margëlliçit dhe Kasnicës më 29 mars 1944. Në këtë betejë dhëmb për dhëmb me armikun, mbetën të vrarë edhe katër Heronjtë e Popullit, komisarët e komandantët trima: Mustafa Matohiti, Meleq Gosnishti, Lefter Talo dhe Dino Kalenja.
Ndërkohë, pushtuesit nazistë dhe bashkëpunëtorët e tyre ndërmarrin Operacionin e Qershorit 1944 i cili përfshiu në zjarrin e armëve teritore të tëra të kësaj krahine. Por forcat partizane ishin në aktivitet të vazhdueshëm e tepër intensiv.
Më 21 korrik 1944, Grupi i III Fier – Mallakastër, sulmoi bazën gjermano- balliste të lagjes “Shkozë” dhe i detyroi ata të tkurreshin në qendrën e fortifikuar të qytetit.
Kudo zhvilloheshin luftime të ashpra. Ora e madhe e lirisë po afronte. Rreth e qarkë qytetit të Fierit po ngushtohej gjithmonë e më shumë kordoni i sulmeve partizane. Më 24 gusht 1944 zëvendës prefekti i Beratit, Teki Xhindi njoftonte i alarmuar zyrën politike në Ministrinë e Brendshme në Tiranë, se në Fier, “Komunistët janë afruar një kilometër jashtë qytetit dhe kontrollojnë çdo automjet që hyn e del nga aty.”
Tre ditë më vonë forcat partizane të Grupit Tretë Fier – Mallakstër sulmuan depon e benzinës në Mbyet. Kordoni i sulmit partizan u zgjerua edhe në Peshtan, Drizë Mystehak dhe sidomos në Qafën e Koshovicës.
Po këtë datë, më 27 gusht, forcat partizane të Brigadës VII -S u futën në Fier dhe zhvilluan luftime të ashpra dhëmb për dhëmb me armikun. “ Gjatë luftimeve të rrepta brenda në pjacën e Fjerit,- njoftohej në komunikatën e atyre ditëve,- u vranë shumë gjerman, u dogj vetura e tradhëtarit Besim Belishova dhe u morën tre doktor italianë së bashku me veglat e mjekimit, të cilët ndodheshin në një spital të Ballit, në pjacë.”
Ndërsa më më 1 shtator nën prefekti i Fierit Zef Pepaj, njoftonte Ministrinë e Punëve të Brendshme se si pasojë e këtyre sulmeve, “ Forcat e Ballit thuajse jan larguar krejt dhe se çetat partizane rreth e qarkë Fierit janë jo më shumë se 3 kilometër.”
Por, vendi më strategjik në luftimet për çlirimin e qytetit të Fierit, u bë Qafa e Koshovicës. Këtu organizoheshin të gjitha pritat e autokolonave gjermane që vinin nga Vlora e shkonin në drejtim të Tiranës. Për 45 ditë Koshovica u kthye në një pikë dominuese me vatër zjarri të pashuar që të kujtonte luftëtarët heroik të Spanjës të cilët krijuan lajtmotivin e tyre trimëror: NO PASARAN! Thirrja “Këtej nuk kalohet”! ushtoi për 45 ditë edhe në Koshovicë duke e kthyer këtë vënd në barrikadë të pakapërcyeshme dhe varr për nazizmin gjerman e bashkëpunëtorët e tyre. Nga këto sulme të furishme Koshovica, do të mbetet në kujtesën historike të kësaj lufte, si një nga përmendoret më të larta të heroizmit partizan.
Më datën 5 shtator, Shtabi i Grupit Tretë Fier – Mallakastër, njoftonte se forcat partizane goditën një autokolonë gjermane që përbëhej nga 5 automobila dhe një autoblindë. “Mbas një ore luftë të rreptë, duke lënë mjaft të vrarë etë plagosur, duke lënë edhe makinat edhe autoblindën të shpartalluar, u futën në Fier të ndjekur këmba këmbës nga partizanët trima.”, thuhej në komunikatë.
Ndërsa në aksin Fier – Lushnje forcat partizane të brigadës XVI sulmuese kryenin sulme të njëpasnjëshme mbi pozicionet e fortifikuara të armikut në lartësitë e kodrave të Ardenicës. Më 1 tetor, në një nga këto sulme të ashpra luftarake bije partizanja trime Feride Hakimi, (Bega) nga Gorishova, e cila arriti pozicionet e armikut fare afër. Po këtu plagoset rëndë edhe zëvendës komisari i batalionit, Sadush Myftari, i cili vdiq mbas 7 orësh.
Më 13 – 14 tetor, Grupi Tretë Fier – Mallakastër dhe Brigada XVI – S, kryen sulmin përfundimtar mbi armikun. Qafa e Koshovicës u bë varri i nazistëve gjermanë. Në këto luftime ranë heroikisht 13 dëshmorë, midis të cilëve Kili Daullja, Avni Muharremi, Ndin Vita, etj.
Më 15 tetor, ditën e dielë, forcat partizane të Grupit Tretë Fier – Mallakastrës dhe Brigadës së XVI –S, hyn fitimtarë në qytetin e Fierit. Në ikje e sipër gjermanët hodhën në erë dy urat e mëdha të këtij qyteti; Urën e gurtë të tipit venecian që lidhte qendrën e tij me lagjen “Shkozë”, ndërtuar në vitin 1777 dhe Urën e Sheqit.
Më 18 tetor në sheshin para godinës së bashkisë ku sot është Prefektura e Qarkut u organizua festa e çlirimit të qytetit.
Fieri i çliruar doli nga lufta me një kontribut të shquar që do ta radhiste atë me dinjitet krahas qyteteve të tjerë të vendit.
Nga Fieri kan marr pjesë në luftë, me armë në dorë 1900 burra e gra, djem e vajza, që nga mosha adoleshente e deri tek ajo më e vjetra. Prej tyre ranë 448, dëshmorë, midis të cilëve, edhe Heroina e popullit Liri Gero që u dogj e gjallë nga nazistët gjerman, si dhe Feride Bega, vajza mallakastriote që ra në kodrat e Vajkanit në pragun e çlirimit të Fierit, e nderuar me Medaljen e Artë të Shqiponjës.
Fieri radhitet gjithashtu në vendet më të dëmtuara, si në njerëz edhe në ekonomi, në banesa, në rrugë, në ura, dyqane, bagëti, të mbjella, pyje e pasuri të tjera rurale e urbane.
Nga ky rreth, gjatë viteve të luftës jan masakruar 175 persona ndër të cilët 19 gra e vajza, të shoqëruar me terror e skena makabre që kan lënë gjurmë të pashlyera në historinë e atyre viteve. E tillë ishta masakra çnjerëzore e kryer mbi 11 pjestarët e familjes Klosi në Zharrëz, ku u çanë me bajoneta edhe foshnjat në djep, dy masakrat e bërë brenda në qytetin e Fierit, pushkatimi i grupuar i këshilltarëve të Shënpjetrës, të quajtur “këshilltarët e fushës”,etj.
Nga qyteti i Fierit dhe rrethinat e tij, ka patur gjithashtu edhe mjaft të burgosur politik dhe të internuar në kampet famëkeqe të shfarosjes. Nga shtatori i vitit 1943 deri në maj 1944, në kampin e Zemunit në Jugosllavi, u internuar 60 persona, 2 persona në Gjermani dhe 16 të tjerë në kampin e Prishtinës.
Shënohet gjithashtu edhe 16 familje të internuara. Ndërsa mjaft të tjerë jan burgosur brenda dhe jashtë vendit për pikpamjet e tyre politike. Në burgun e Fierit, Tiranës dhe Portoromanos, kanë vuajtur dënime të ndryshme gjat periudhës mars – shtator 1943, 40 persona.
Të gjitha këto humbje e sakrifica të tilla, na bëjnë ta kujtojmë me dhimbje e krenari ditën e çlirimit të qytetit tonë, sepse si çdo qytet tjetër edhe Fieri, rrezatoi gjat kësaj lufte vlera të shkëlqyera patriotike dhe morale, duke ju bashkuar me dinjitet, heroizmit të përgjithshëm kombëtar, të cilat farkëtohen e glorifikohen parreshtur në kujtesën tonë historike.
Dhe sot, pikërisht më 15 tetor gjithë populli fierak, kudo ku janë, me shpirt e me zemër, përkujtojnë me krenari të ligjëshme ditën e çlirimit të qytetit të tyre, gjakun e derdhur për lirinë e atdheut dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare si pasurinë kombëtare të popullit shqiptar.
Nuri PLAKU
Ish Drejtor i Muzeut Historik Fier