Ish-kryeministri Sali Berisha, ka fituar ketë të diel garën për kryetar të Partisë Demokratikë, me parimin një anëtar një votë, ndërsa përballë kishte Ibsen Elezin.
Berisha rezultoi fitues pas numërimit të votave në 108 qendrat e votimit në të gjithë vendin, me një mbështetje masive, mbi 90 përqind të anëtarësisë.
Lideri historik i kësaj partie ia doli të rimarrë drejtimin e selisë blu pas një rrugëtimi jo të shkurtër, pas një sprove që nuk ishte zgjedhja e tij, por u detyrua ta ndërmerrte.
Përjashtimi më 9 shtator, Berisha nuk gjunjëzohet
Mbrëmjen e 9 shtatorit, të vitit të kaluar, ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha, vendosi të përjashtojë Berishën nga grupi parlamentar i partisë. Kjo një ditë para nisjes së sesionit të ri parlamentar.
Pa asnjë konsultë, pa asnjë mbledhje forumi. Basha u shpreh se ishte vendimi i tij personal.
Kjo erdhi pas kërkesës së ambasadores Yuri Kim, që u shpreh se para rinisjes së Kuvendit, liderët duhet të merrnin vendime.
Duke lënë të kuptohet, distancimin nga Berisha, pas shpalljes non-grata me 19 maj të 2021, nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Lulzim Basha fantazoi se mund ta sfumonte Berishën nga jeta politike, por lideri historik i PD u zotua se do të qëndronte më i fortë se kurrë përballë njerëzve të shitur tek Rama, siç i cilësoi ai, për të mbrojtur idealet e demokratëve, për të mbështetur ata që e besuan më 25 prill, për sovranitetin dhe demokracinë në Shqipëri.
Thelbi i lëvizjes qe nisi Berisha, që e riktheu në politikë, ishte vota.
Rruga drejt fitores dhe Kuvendi i 11 dhjetorit
Fill pas përjashtimit nga grupi parlamentar i PD, nisi rrugëtimi i rikthimit për Sali Berishën. Nga qyteti në qytet, prej Veriut në Jug ish-kryeministri zhvilloi turin e ‘Foltoreve’, ku sallat mbusheshin plot dhe mbështetja ishte e dukshme për të.
Nuk kishte asnjë dyshim që do fitonte, gjithçka ishte e dukshme, Berisha gjithmonë e gjen mënyrën. Ai kishte synime të qarta.
Berisha mblodhi Kuvendin më 11 dhjetor, stadiumi më i madh i vendit ‘Air Albania’ u mbush plot me demokratë entuziastë. U morën vendime të rëndësishme dhe jetike për PD-në e Rithemeluar.
Statut i ri. Basha u shkarkua nga posti i kryetarit, mbeti deputet i thjeshtë. Po ashtu, më tej, u hap rruga për procesin e zgjedhjeve brenda PD në çdo nivel, deri më sot që u votua për Kryetarin e PDSH.
Suksesi i 6 marsit, ‘Shtëpia e Lirisë’ doli forcë e dytë
Pas 7 muajsh rrugëtim nëpër Shqipëri me ‘Foltoret’, Berisha vendosi të garojë nën siglën ‘Shtëpia e Lirisë’ në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, ku doli forcë e dytë ndërsa fitoi Bashkinë Shkodër me Bardh Spahinë. Basha, sigurisht në vend të tretë me PD-në e tij gjithnjë e më të vogël. Dukshëm, shumica ishte me Doktorin.
22 Maj 2022, Berisha rimerr drejtimin e PD
Ngjashëm me ‘Foltoret’ që nisi në shtator dhe i mbylli në mars, Berisha filloi fushatën këtë muaj, në maj. Nga goja e doktorit s’mund të mungonin akuzat e forta ndaj qeverisë së Ramës, për të cilin ish-kryeministri thotë se ai është e keqja e vendit, i cili ka marrë peng Lulzim Bashën dhe ka shkatërruar Shqipërinë për të pasuruar veten dhe ministrat e tij.
Sot nis beteja më e madhe, një opozitë e vërtetë që do të vijë në pushtet
Beteja e vërtetë nis nga sot. Berisha tashmë është zyrtarisht kryetar i PD. Doktor Berisha ka premtuar se do të bëjë gjithçka për të mbrojtur interesin kombëtar, pluralizmin dhe demokracinë.
Berisha ka pohuar se PD do të rikthehet në pushtet, dhe se ai do ta mundë Ramën në betejën më të afërt elektorale. Shqipëria, është shprehur Berisha, do të njohë me PD në pushtet ditët më të mira të saj.