PERDJA E DRITARES
Lefter Çipa
Tymi i cigares ç’më pengon shikimin,
perdja e dritares, seç më rrëmben syrin.
Ja, përbrenda perdes, dikush po më luan,
si një fletë e gjethes, dikush mbi të shkruan.
Marr dhe fik cigaren, më shfaqet një dritë.
Dikush hap dritaren, me dritë në grykë.
Dy plumba prej ari, më qëllojnë në zemër.
Çfarë nuk heq i gjalli, s’di ku ta hedhë këmbën!
Cigaren prapë ndeza, u ndeza i tëri.
Ç’ishte dot s’e gjeja, vinte rrotull vendi.
Rrotull vendi vinte, po me shembte zjarri,
S’mora vesh seç ishte, meraku a malli?!
Ja, shikoj një hije më kish ardhur pranë.
Unë si rrush hardhije, pjekje kisha marrë.
Shpejt dikush me dorë, si rrush më këputi.
Na qenkësh një mollë, që i hahej rrushi.
Cigarja m’u shua, gjaku zu këndonte,
Perdja u lëshua, mua më mbulonte.
Më mbuloi perdja, dot nga perdja s’dola.
Më qëlloi gjethja, më rrëmbeu molla.
Tymi i cigares iku, u largua,
Drita e dritares më verboi mua.
I verbuar mbeta, brenda dritës së artë.
Aty rashë dhe fjeta, bëra gjumë të gjatë.
Shpejt u ndez një dritë, qenë dy drita bashkë.
Njëra më lau sytë, tjetra më dha mjaltë.
Thashë se kisha vdekur, kush më la të vdisja?!
I gjallë kisha mbetur, dot më, nuk po flisja…
(Nga libri ” Vij nga drita”
OMBTA GVG Tiranë 2014, botuar si pjesë e trilogjisë ” Etër dhe bij”)