Janë ‘grabitur’ 6 mandate në ‘tavolinë’…
Nga Kastriot Islami
Marrëveshja e 5 qershorit e arritur me ndërhyrjen e ambasadorëve të rëndësishëm në Tiranë, të SHBA e BE, në rezidencën e ambasadores amerikane, u prish në mënyrë të njëanshme. Me prishjen e njëanshme të kësaj marrëveshjeje, ranë realisht zgjedhjet e lira e të ndershme, sepse u dëmtuar rëndë besimi i ‘brishtë’ që mezi u arrit në 5 qershor. Ndryshe mund të thuhet se ky moment shënoi tjetërsimin në ‘tavolinë’ të rezultatit zgjedhor në favor të maxhorancës, me të paktën 6 mandate.
Marrëveshja konsensuale e 5 qershorit e arritur pas një situate politike konfliktuale disa vjecare, u hodh në erë, përmes aplikimit të një retorike tipike autoritare, duke sulmuar në mënyrë indirekte, më së shumti SHBA por edhe BE, përmes tezës makiavelike se ‘se parlamenti shqiptar është sovran dhe askush s’e pengon dot të vendosë çfarë të dojë…’.
Pra sipas kësaj teze, askush nuk mund ta ndalonte parlamentin të vendoste në mënyrë sovrane (nënkupto të njëanshme), ndërkohë që vetëm disa orë më parë ishte pranuar nga të gjithë faktorët dhe aktorët e rëndësishëm politikë, ngritja dhe funksionimi me konsensus i Këshillit Politik, për të mundësuar ndryshimet konsensuale në Kodin Zgjedhor, që do ti hapnin rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Në mënyrë të njëanshme dhe duke përjashtuar opozitën reale, ndryshoi konkretisht, kundër interesave të opozitës reale, sistemi zgjedhor, gjë që s’kishte ndodhur asnjëherë nga 1991 deri më 2020.
Opozita reagoi, por reagimi i saj duket se rezultoi i zbehtë dhe i pamjaftueshëm për të ndaluar këtë ndryshim arrogant dhe të njëanshëm të sistemit zgjedhor që u pasua me fitoren në ‘tavolinë’ të paktën 6 mandateve nga maxhoranca qeverisëse. Madje mund te thuhet se pa filluar zgjedhjet, opozita ishte në dizavantazh me 6 mandate.
BE reagoi, por jo aq fuqimisht sa ta ndalonte këtë veprim të njëanshëm që realisht i kishte hapur rrugën e grabitjes së mandative pra edhe të tjetërsimit të rezultatin zgjedhor, sic realisht ndodhi..
SHBA po ashtu më shumë heshti, duke i dhënë ëpr më tepër mundësi maxhorancës të abuzonte duke krijuar perceptimin e qeveria kishte mbështetje në rrugën e tjetërsimit të vullnetit qytetar që priste ndryshimin. Realisht, shumica e shumtë e perceptojnë këtë tjetërsim si ‘Fitore të Pirros’.
Po të bëhen llogaritë me votat e grumbulluara nga PS dhe PD e LSI, në zgjedhjet e 25 prillit 2021, sipas sistemit të mëparshëm zgjedhor që u ndryshua në mënyrë të njëanshme dhe pa opozitën reale, rezulton se:
PS do të kishte fituar 69 mandate, pra nuk do të kishte e vetme maxhorancën;
PD-AN+LSI do të kishin fituar 69 mandate.
Ndërkohë që me ndryshimin e njëanshëm të sistemit zgjedhor, në zgjedhjet e 25 prillit 2021, rezultoi:
PS mori 74 mandate
PD mori 59 mandate dhe LSI mori 4 mandate, pra
PD+LSI morën 63 mandate.
Nga këto llogari të thjeshta rezulton se vetëm nga ndryshimi i njëanshëm i sistemit zgjedhor i bërë me synimin për të dëmtuar opozitën apo të paktën për të penguar fitoren e saj, rezultati është tjetërsuar me të paktën 6 mandate në favor të maxhorancës. Shumë mandate të tjerë i janë ‘grabitur’ opozitës nga aplikimi i faktorëve të tjerë manipulues që tashmë janë listuar në raportin e OSBE/ODHIR…