“Kujtimet e një mjeku” nga Irma Kurti
Me shënime nga ditari i babait të saj, doktor Hasan Kurtit
Doli nga shtypi nën siglën e Shtëpisë Botuese ADA libri i titulluar “Kujtimet e një mjeku”, me pjesë nga ditari i mjekut radiolog Hasan Kurtit. Vetëm pak muaj më parë ky libër u botua në Itali, nga shtëpia botuese “Kimerik”.
Libri është i ndarë në tre pjesë: “Një udhëtim pa kthim”, “Fëmijëri e mohuar” dhe “Fragmente jete e ëndrrash”. Në të gjen mbresa e përshtypje, gëzime e vuajtje të jetës së doktor Hasanit, duke filluar me humbjen e bashkëshortes Sherife Kurti disa muaj pas shpërnguljes së tyre në Itali, copëza të një fëmijërie të privuar nga dashuria e prindërve, rrugëtimin e vështirë për t’u bërë mjek, kujtime nja shkolla si dhe nga puna si radiolog në Spitalin Civil dhe në Ambulancën Qendrore në Elbasan, mbresa të së përditshmes në atdhe si dhe në Itali, ku jetoi për shumë vite deri sa mbylli sytë përgjithmonë.
Nga parathënia e librit të shkruar nga shkrimtarja Irma Kurti veçojmë: “Ky libër më ka bërë shoqëri gjatë muajve të vështirë të izolimit prej pandemisë. Ai u bë ëndrra që më mbante zgjuar dhe të kthjellët. Për orë të tëra e gjeja veten të emocionuar dhe të shkëputur nga realiteti, ndërsa përpiqesha të deshifroja rreshtat e shkruar prej babait, t’i përpunoja dhe të gjeja mënyrën më të mirë për t’ia përçuar lexuesit. Kujtimet e një mjeku është dëshmia e tim eti. Në këto faqe zbulohen vullneti e këmbëngulja, kuraja e tij për të jetuar jetën dhe për të buzëqeshur, me gjithë vështirësitë e panumërta. Në çdo faqe, në çdo rresht e fjalë unë kam dëgjuar zërin e tij.”
“Është një botim i veçantë për mua” shprehet Kurti jo vetëm pse ka si bashkautor babain tim, që më ka shoqëruar dhe më ka mbështetur pareshtur në karrierën letrare, por edhe pse shënimet nga ditari, nga jeta e tij vijnë tanimë për lexuesin shqiptar, për të gjithë ata, të cilët e kanë njohur nga afër duke qenë pacientë të tij apo jo”.
Irma Kurti ka botuar njëzet e dy libra në gjuhën shqipe, pesëmbëdhjetë në italisht dhe katër në anglisht. Veprat e saj janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera.