Requem per intelektualin Arqile Daulle qe sot nderroi jete ne moshen 78 vjecare.
Profil/Arqile Daulle
‘’60 vjet aktivitet në fushën e kulturës’’
Në Fier e njohin të gjithë, të mëdhënj dhe të vegjël, nxënës, mësues dhe prindër. Një fakt i tillë ka dhe shpjegimin e vetë sepse prej 60 vjetësh, Arqile Daulle, ka qenë pranë qytetarëve të tij, jo vetëm si mësues por edhe si gazetar, instrumentist, drejtues artistik, shkrimtar, studjues dhe botues.
Ndërkohë që edhe pse është 78 vjeçar dhe në pension prej kohësh, ai, përsëri vijon të punojë akoma me të njëjtin intensitet si dikur në rininë e tij. Por cili është profili i këtij njeriu punëtor, të përkushtuar dhe modest, i cili ka lënë gjurmë me punën dhe vlerat që ka përçuar.
Arqile Daulle ka lindur në Grecalli në 10 gusht 1942 dhe fillimisht është diplomuar në degën ë kulturës në liceun artistik ‘’Jordan Misja’’ në Tiranë. Më pas vijoi me studimet për Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin ‘’Aleksandër Xhuvani’’ në Elbasan. Ndërsa për një kohë të gjatë ka punuar në arsim por dhe si punonjës kulture, ku drejtuar disa ansamble popullore në zona të ndryshme të rrethit të Fierit, si në Grecalli, Verri, Kuman, Mbrostar, Kreshpan, Levan, etj.
Gjatë aktivitetit të tij është marrë edhe me studime ku mund të përmendim ato me tituj: ‘’Përdorimi dhe përhapja e instrumentave popullore në Myzeqe’’ dhe ‘’Mendime dhe Vlerësime’’. Ndërkohë që nga krijimtaria artistike e Arqile Daulles kanë dalë edhe shumë këngë popullore, këngë për fëmijë dhe pjesë muzikore. Në festivalet folklorike të Gjirokastrës në vitet 1978 dhe 1983 ai u paraqit me katër këngë popullore me të cilat u nderua me medaljet e laureatit të festivalit.
Po kështu Arqile Daulle ka shkruar edhe tregime, skece, parodi, drama, novela dhe disa monografi. Nga kjo krijimtari mund të përmendim librat: “Polici i vetvetes’’, ’’Një jetë aktive’’, “Grecalli- vendlindja ime”, “Njerëz ju dua”, “Nuk mund të hesht’’, “Dredharakë e të pabesë”, ‘’Mirënjohje’’, librin me përralla ‘’100 përralla për fëmijë’’, vëllimin me novella “Kënga e zemrës”, librat me përshtatje “Na ishin njëherë shtatë mrekullitë e lashtësisë”, ‘’Zogu që puth lule’’, ‘’Shkolla drejt qiellit’’, dramat ‘’Dasma e madhe’’, ‘’Brigadierja’’, ‘’Drejt maleve’’, komeditë ‘’Do ta themi hapur’’, ‘’Historia e shtatë kombësive’’, ‘’Humbi bërthama shkencore’’, vëllimin humoristik ‘’Propozoj vetem time’’, etj.
Pjesë e krijimtarisë së tij ndër vite kanë qenë edhe shumë shkrime në shtypin e kohës si te gazetat ‘’Bashkimi’’, ‘’Puna’’, ‘’Zëri i Rinisë’’, ‘’Drapër dhe Çekan’’ apo revistat ‘’Hosteni’’ dhe ‘’Estrada’’.
Por ndërkohë që arritja më e rëndësishme e veprimtarisë intelektuale të Arqile Daulles është padyshim gazeta ‘’Xixëllonja’’ e cila përfaqëson të parën gazetë për fëmijë në historinë e shtypit të shkruar në Fier.
‘’Xixëllonja’’ e cila vijon aktivitetin e saj edhe sot është një gazetë periodike që del dy herë në muaj. Karakteri i saj është letrar, artistik, kulturor dhe didaktik që i dedikohet fëmijëve dhe nxënsëve të shkollave 9 vjeçare. Numri i parë i ‘’Xixëllonjës’’ doli në 20 prill 1996 dhe në faqet e saj është pasqyruar krijimtaria e fëmijëve të talentuar të shkollave të rrethit të Fierit.
Në 24 vjet aktivitet kjo gazetë dhe botuesi i saj Arqile Daulle ka ditur që me dashuri të promovojë talentet e nxënësve të ndryshëm dhe fëmijëve, aktivitetet artistike, kulturore dhe sportive të shkollave, qëndrave kulturore dhe institucioneve të tjera arsimore.
Në faqet e saj kanë zënë vend edhe profilet dhe veprat e shkrimtarëve, poetëve, fabulistëve, kompozitorëve, artistëve dhe piktorëve të huaj dhe shqiptarë, që veprimtarinë e tyre ja kanë kushtuar kësaj grupmoshe. Po kështu, ‘’Xixëllonja’’, ka pasqyruar edhe ngjarje të ndryshme të historisë sonë kombëtare apo asaj botërore të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në formimin kulturor të nxënësve. Edhe mendimi pedagogjik dhe arritjet dhe risitë didaktike kanë zënë vendin e tyre në shkrimet e kësaj gazete, shoqëruar me shembuj konkretë të punës së mësuesve në të gjitha shkollat e Fierit, Patosit, Roskovecit dhe qëndrave të tjera të rrethit duke vijuar deri në Ballsh dhe Mallakastër.
Nga shfletimi i numrave të ndryshëm të ‘’Xixëllonjës’’ gjen me dhjetra emra prej nxënësve të dikurshëm, që sot jo vetëm janë diplomuar por janë bërë edhe personazhe të njohur në fusha të ndryshme jetës.
Po kështu nuk mungojnë edhe profilet e mësuesve ekselentë dhe punës së tyre, ku shfaqet një histori e zhvillimeve arsimore dhe e arritjeve të këtij sektori në Fier. Me etikë profesionale në këtë gazetë është trajtuar edhe korrespondenca midis lexuesve të saj si, nxënës, prindër apo mësues me redaksinë, ku janë diskutusar dhe trajtuar problemeve të ndryshme të edukimit.
E gjithë kjo punë voluminoze është përballuar me mund dhe përkushtim nga botuesi Arqile Daulle, i cili me pasion ka mbajtur ‘’gjallë’’ për disa dekada këtë gazetë. Edhe sot pavarësisht viteve dhe moshes, të gjithë këtë pune që nis ‘’në terren’’ dhe vijon më pas në biblioteka, ‘’laboratorin krijues’’, apo shtypshkronjë ai e përballon krejt i vetëm.
‘’Xixëllonja më ka dhënë një kënaqësi të jashtëzakonshme, tregon publicist Arqile Daulle. Pasi dola në pension dhe u shkëputa nga arsimi ajo më riktheu përsëri mes nxënësve. Kush shkëputet nga puna shkëputet edhe nga jeta. Mua Xixëllonja më riktheu në jetë, mes kolegëve dhe fëmijëve, që e presin me padurim këtë gazetë’’.
Rreth kësaj veprimtarie një nga miqtë bashkëpunëtorët e tij të vjetër, Themi Spiro, shprehet rreth tij si: ‘’Një figurë shumë publike, i cili për mua i njohur për mbi 50 vjet në punë të përbashkët, ende mbetet një njeri me shume vlera, për të cilin, është shkruar e folur pak, është vlerësuar jo sa dhe si duhet. Jeta dhe veprimtaria e këtij lntelektuali fierak është shembullore, aq sa nuk mund ti gjesh shokun edhe në shkallë vendi‘’.
Ky është një profil i shkurtër mbi Arqile Daullen, njeriun që vijon të mos ndalet dhe të punojë akoma, pavarësisht se ka ‘’mbi supe’’ mëse 60 vjet aktivitet në fushën e kulturës.