Editorial : Nga Granit Hoxha
” Parkingu i qëndrës së Fierit dhe tarifat mbresëlënëse “
🔴 Ka pak ditë që është hapur në qytetin e Fierit parkingu nëntokësor i qëndrës.
( Që prej datës 3 Mars.)
Për hir të së vërtetës është një investim i domosdoshëm që përligj kërkesat e qytetarëve pasi ishte një nga domosdoshmëritë që i mungonin qytetit që pas viteve 90-të kur filloi dhe fluksi i madh i mjeteve që qarkullojnë sot.
Menjëherë pas fillimit të funksionimit u afishuan edhe tarifat mbase të miratuara më parë nga Këshilli Bashkiak i qytetit nga ku :
Ora e parë kushton 50 lekë çka është një tarifë e arsyeshme dhe tërësisht e përballueshme nga gjithë përdoruesit e mjeteve të cilëve u nevojitet një post parkimi në qëndër të Fierit.
Ora e dytë e qëndrimit kushton 100 lekë dhe kjo një tarifë që i shkon për shtat realitetit ekonomik që vendi ynë kalon vitet e fundit.
Ora e tretë 300 lekë dhe këtu fillon absurdi që nuk po gjejmë shpjegim ekonomik ta argumentojë dhe të jetë bindës.
Imagjinoni që mjeti juaj të qëndrojë i parkuar 2 orë e 5 min dhe të paguani 300 lekë ose 2.5 Euro për këtë periudhë qëndrimi a do të ishte kjo një tarifë e mirëmenduar?
Jam kurioz nëse ndonjë pjesëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit ku medoemos bëjnë pjesë intelektualë të përzgjedhur me kujdes dhe dijetarë ” par excellence ” që mendojnë pikë së pari për mbrojtjen e interesave të qytetarëve qê i kanë përzgjedhur në atë detyrë t’u ketë bërë përshtypje vendosja e këtyre tarifave apo më tej akoma të ketë hapur ndonjë diskutim se cila ka qënë logjika ekonomike e propozuesit të tarifave.
Cili ka qënë argumentimi dhe me ç’bazë algoritmi kanë nxjerrë tarifat e qëndrimit pas 2 orëve të para.
Në dijeninë time në përbërjen e Këshillit ka ekonomistë të shkëlqyer dhe mendje brilante që edhe mund ta bënin ose mbase dhe e kanë bërë por sugjerimet e tyre se tarifat që vijojnë nga 2.5 Euro e lartë janë jashtë realitetit ekonomik të qytetarëve fierakë.
Tarifat në fjalë mund të jenë të denja në metropole të zëshme të globit ku edhe situacionet ekonnomike të qytetarëve janë në raport me çdo tarifë që përcakton pushteti vendor.
Të tillë mund të jenë Parisi,Londra,Milano po nuk mendoj që edhe në Fier mund të arsyetojmë një tarifë prej 2.5 Euro qëndrimi për një periudhë kohore 2 orë e 5 min.
Ky është mendimi im që duhet rishikuar mbase edhe njëherë, natyrisht me propozim nga Drejtoria e Taksave Vendore e cila nuk mund të jetë thjesht e vetëm taksidare e devotshme në mbledhjen e arketimin e taksave të qytetarëve fierakë por duhet njëkohësisht të analizojë dhe të reagojë mbas cdo anomalie që këshilli as që e vë re para se ta miratojë jo më ta diskutojë dhe kundërshtojë si në çdo vend tjetër.
Dhe deri sa të ketē një reagim profesional dhe të argumentuar mirë qyetarët duhet ta llogarisin mirë kohën e parkimit të mjetit dhe sapo ti afrohen dy-orëshit të qëndrimit ta zhvendosin mjetin me vrap se më pas nuk ja vlen t’i paguash 2.5 Euro sikur ke parkuar në New York afër Timè Square, apo në Paris afër Kullës Eiffel ose Tower Bridge Londër.
Po të ketë reflektim qytetarët fierakë mund të fitojnë dy gjëra , e para këshill vendor të arsyeshëm dhe e dyta, parking të leverdisshëm natyrisht , por deri sa t’i rishohin tarifat nuk do të kenë asnjërën .