NATË E MADHE, FALEMINDERIT MYRTO UZUNI!
Mbrëmë ishte thjesht fenomenal. Shënoi një gol fantastik brenda në shtëpinë e CR7-ës, idhullit të tij. Goli i tij ishte i pari i një skuadre hungareze në shtëpinë e Juventusit në kompeticionet europiane. I bie që të jetë një gol historik. Na bëri të gjithëve shumë krenarë. Lum ne që e kemi! Pas golit, festoi si idhulli i tij. Më pas, luftoi, vrapoi, u sakrifikua edhe në fazën mbrojtësë, në shërbim të plotë të ekipit të tij… Thjesht i jashtëzakonshëm. Performanca e tij tërhoqi vëmendjen e të gjitha rrjeteve të përditshme sportive… Myrto Uzuni nuk është rastësisht këtu. Po i ngjit një nga një shkallët e karrierës së tij brilante. Pasi u refuzua nga Partizani (për specialistët e midhjes dhe peshkut nuk bënte) shkëlqeu te Laçi si aktori kryesor i kualifikimit historik të klubit kurbinas, më pas shkëlqeu për tre vjet në Kroaci dhe tani po bën të njëjtën gjë në Hungari… Lum ne që e kemi! Por pse nuk e vlerësojmë siç duhet dhe siç e meriton??? Në skemat e trajnerit tonë të Kombëtares Myrto nuk jep më të mirën. Pse??? Sepse nuk luan si sulmues i deklaruar. Në të vetmin rast kur luajti si i tillë (kundër Kosovës), ai shkëlqeu. Me shënimin e një goli dhe me një asist. Kemi dy sulmues të shkëlqyer sot për sot. Cikalleshin dhe Uzunin. Pa përjashtuar asnjë tjetër. Por këta të dy, mos i luani më. Boll eksperimentuat. Është moment i tyre më i mirë. Që urojmë të gjithë të zgjasë për shumë kohë!