Kolegët e Palit (pasi ai vetë punonte gjatë natës) janë të parët me të cilët përshëndetem çdo ditë sapo mbërrij në punë, ndonjëherë shkëmbejme dhe batuta për makinat e parkuara keq, dhe po ashtu janë të fundit që ua bëj me dorë kur largohem. Askujt nuk ja kishte marrë mendja që sot njëri nga ata nuk do të kthehej gjallë në shtëpi. Ishte kaq e rëndë të shihje sot vendin ku punojmë çdo ditë të shndërruar një vendngjarje krimi.
Përtej çdo dyshimi, piste hetimi apo edhe teorie konspiracioni lidhur me këtë sulm, ajo çka është e rëndë dhe e papranueshme është që babai i tre fëmijëve që punonte për të fituar bujën e gojës nuk jeton më sepse u vra nga breshëria e plumbave drejtuar një televizioni kombëtar.
Nuk e imagjinoj dot çfarë masakre mund të kishte ndodhur nëse sulmi do kryhej vetëm 10-20 min përpara ndërsa dilnin nga puna kolegët e redaksisë së lajmeve pasi kishin përfunduar edicionin e mesnatës.
Dreqi ta hajë, edhe në luftë gazetarët nuk preken.
Por ky sulm dhe vrasja e Pal Kolës tregon edhe një herë sa pak vlerë ka jeta në Shqipëri e se krimi nuk kursen më askënd në këtë vend.
Drejtor
Vladimir Muçaj
Kryeredaktor
Besim Dybeli
Gazetar(e)
Valjeta Krosi
Enkelejda Troka