Edhe revolta trashëgohet
Kjo pamje është therëse. Kjo pamje tregon lakuriq dështimin dhe nënshtrimin tonë si shoqëri. Shumë thonë; Pse nuk protestojnë studentët?!
Në një kronikë televizive situata zhvillohej si më poshtë;
Një studente para mikrofonit deklaron- Tani sa erdha nga puna. Më thanë merri rrobat se do qëndrojnë afganët këtu.
Tani, një vajzë e re që gjatë verës punon për një të ardhur më shumë. Larg familjes dhe shtëpisë, në një kryeqytet ku mundohet të zërë vendin e saj kthehet nga puna dhe i thuhet; Merr rrobat dhe ik.
Ne i kërkojmë kësaj vajze të ngrihet dhe atë që nuk bëjmë dot ne, ta bëjë kjo vajzë bashkë me studentët e tjerë.
Lind pyetja- Sa rriten fëmijët shqiptarë me modelin e revoltës në shtëpitë e tyre?! Sa herë i kanë parë prindërit e tyre të protestojnë për një të drejtë qytetare?!
Të jemi të sinqertë me veten dhe të themi të vërtetën- Asnjëherë!
Nuk trashëgohet veçse mbiemri i familjes apo tiparet e prindërve, por trashëgohet edhe revolta apo nënshtrimi i tyre.
Mos t’u ngarkojmë studentëve një barrë që na takon neve ta mbajmë. Ndihen tashmë krejt të vetmuar dhe të braktisur nga ne.
Post Scriptum- Studentët jemi ne.
Elona Caslli
Foto: Sipër studentja, poshtë autorja e shkrimit