Nga ELMIRA RAMA
KUR LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT BËHET SLOGAN QË NUK JEP SHPRESË.
Korrupsioni ka shoqëruar në zhvillimet e tyre të gjitha shoqëritë, që nga ajo antike. T’a
përkufizosh nuk është aq e thjeshtë sa duket. Ai njihet nga të gjithë, të gjithë e shohin, flasin, por
problemi qëndron tek këndvështrimi i secilit. Këndvështrimi im në këtë shkrim nuk ka të bëjë me
raportet reciproke eprorë-vartës, të cilët mund të lindin natyrshëm, por me zvarritjet e qëllimshme të shërbimit ndaj qytetarëve apo të situatave që krijohen qëllimisht për të nxitur korrupsionin aktiv dhe pasiv.
Nëse fillimisht do të ndalemi tek etimologjia e fjalës “korrupsion”, shohim se e ka origjinën nga
latinishtja “rrumpere”, që do të thotë “thyej”.
Por çfarë thyhet ?
Aktet korruptive kryhen nga personat që abuzojnë për interesa private me një post publik që u besohet.
Kështu që korrupsioni mund të konceptohet si thyerje e besimit të dhënë, si këputje e
hallkës së ligjit. Ata që e praktikojnë kanë aftësi të jashtëzakonshme ta nxisin me të gjitha
format, horizontalisht dhe vertikalisht.Nëse do të vështroja në rrafshin horizontal do ta
përkufizoja si një taksë, si një taksë të shëmtuar ndaj individëve nga individi. Nëse do të hidhja
vështrimin vertikalisht do t’a shihja si një tentative për
të krijuar terrenin e vjeljes së kësaj takse të pështirë, duke joshur superiorët.
Prandaj, pa dashur të përmend raste të dëgjuara apo të përjetuara, në gjykimin tim korrupsioni përbën një alarm social, sepse shënjestra e tij janë njerëzit e thjeshtë.
Lufta kundër korrupsionit ka qenë e vazhdueshme dhe e hapur në të gjitha vendet e botës.
Kështu që edhe në Shqipëri nuk mund të pretendojmë eliminimin total të këtij fenomeni. Në këto 30 vite lufta kundër korrupsionit ka qenë slogani kryesor i pothuajse të gjitha fushatave
zgjedhore, por duke u përdorur thjesht si instrument për synime të ngushta dhe jo për qëllime të
përbashkëta.
Për t’a luftuar shpesh mjaftohet me modele ndëshkimesh të rasteve që bëhen publike nga
media,(kryesisht për tendera e për shuma, që njerëz të thjeshtë as nuk i shprehin dot)
ndërsa për format e tjera heshtet, i pranuar me bindjen se kështu funksionon.
Mekanizmat që duhet t’i luftojnë rrinë indiferentë, sepse korrupsioni e korrupton edhe luftën kundër tij, ose bëhet agresiv dhe godet fshehur.
Vazhdojmë të dëgjojmë për luftë kundër korrupsionit, ndërsa jemi përditë nën kthetrat e tij edhe për një çertifikatë që është jona, që na përket ne…
Optimizmi shpesh na serviret si progresizëm. Rrëmujat krijojnë mundësi që
individë të caktuar, nga e majta apo e djathta, të fshihen pas situatave të tilla, të fuqizohen dhe të bëhen të paprekshëm me shpenzimet e njerëzve të thjeshtë.
A nuk është koha të mendohet strategjia për parandalimin?
Së pari, dixhitalizim i procedurave si thjeshtësimi i rregullave, nuk është e vetmja masë parandaluese
Modeli i qeverisjes bashkëkohore kërkon domosdoshmërisht që drejtues dhe titullarë të jenë ata që kanë aftësi drejtuese dhe menaxhuese. Punonjësve duhet t’u kthehet dinjiteti dhe përgjegjësia e punës në administratën publike dhe jo të jenë nën trysni sepse u ikën nga duart ryshfeti “ xhambazëve” të zyrave të shtetit.
Kur lufta kundër korrupsionit bëhet slogan që nuk jep më asnjë shpresë është duke ndodhur një ndryshim i frikshëm dhe i pakthyeshëm social.
Kujdes!
Korrupsioni është si pika e ujit që gërryen gurin.