Këto ditë ajo pak media e pakapur dhe e pakorruptuar që ka mbetur në Shqipëri denoncoi publikisht një aferë tjetër mafioze të grabitjes së pronës së ligjëshme private dhe të zhvatjes së pronës publike qytetare mu në zemër të Tiranës, duke ja dhuruar interesave të mafias që ka kapur shtetin dhe pushtetin në këtë vend.
Fadromat e Bashkisë së Tiranës, në vitin 2016 shemben gati një duzinë shtëpish historike në qendër të kryeqytetit me argumentin e ndërtimit të Unazës së Vogël si dhe zhvendosjes së përkohshme të nënstacionit elektrik pas 15 katëshit.
Pushteti i rilindsave shtetëzoi 49 prona, nga të cilat 10 prona u prekën nga zhvendosja e nënstacionit elektrik.
Megjithëse për shpronësimin e tyre u vlerësua një shpërblim qesharak qindra herë më pak se vlera reale e tregut në atë zonë, ende sot e kësaj dite edhe ai kundërshpërblim qesharak as nuk është dhënë.
Por sot më shumë se sa vlera qesharake e zhdëmtimit të pronës së marrë prej bijve të etërve që i grabitën së pari ato në 1945, ka dalë mbi ujë akti mafioz i një pushteti i kapur prej mafies e në shërbim të mafies.
Territori që i duhej dhe që i hyri në punë nënstacionit është vetëm 751.6 m2, ndërkohë sipërfaqja e marrë përdhunisht pronarëve është 6105 m2 truall për gjoja Unazën e Vogël dhe 1495 m2 truall për nënstacionin elektrik.
Pak kohë pas kësaj zhvatje nën emër të “shpronësimit për interes publik” pikërisht në këtë zonë, Këshilli Kombëtar i Territorit që kryesohet nga Edi Rama, në prill të 2017-ës parashikoi se në gjurmën prej 1880 m2 të ketë një sipërfaqe ndërtimore prej 32 mijë m2, duke zhvendosur nënstacionin dhe miratuar ndërtimin e një godine private 33 katëshe me 4 kate nëntokë.
Imagjinoni tani 32 mijë m2 shumëzuar me 3-6 mijë euro për m2 që janë shitjet normale aty se sa është fitimi krahasuar me dhunën dhe zhvatjen që ju bënë rilindsat pronarëve autoktonë tiranas.
Ky është model i pastër mafioz !
Kjo është kapja e shtetit dhe pushteti prej Mafies !
E njëjta skemë duket ekzaktësisht e njëjtë tek Teatri Kombëtar dhe zona private përreth.
Shumicës së qytetarëve të vendit rasti i grabitjes së 49 pronave të familjeve tiranse mund të mos i prekë në xhepin e tyre personal.
Por kjo nuk është thjeshtë dhe vetëm çështje shpronësimi dhe grabitje të disa familjeve autoktone.
Problemi që i prek të gjithë më së pari është modeli mafioz i shtetit që ju kanë vënë mbi krye çdo shqiptari dhe pamundësia e çdo qytetari e familje të këtij vendi për të garantuar e mbrojtur të drejtën e tyre në jetesën e përditëshme.
Problemi është shpronësimi nga liria e çdonjërit që jeton në këtë vend.
Ashtu siç ju grabit prona atyre familjeve tiranse, ashtu ju grabiten vendet e punës që mbyllen çdo ditë shqiptarëve pa përjashtim,
Ashtu ju grabiten rrogat dhe pensionet, vlera e të cilave zvogëlohet çdo ditë prej rritjes së çmimeve e të gjithë kostos së jetesës, prej taksave që shtohen e rëndohen,
Ashtu siç degradojnë spitalet dhe shkollat e fëmijëve të gjithëkujt prej Vermoshi në Konispol,
Ashtu siç mbyllen përditë bisneset e vogla familjare dhe rrënohet mundi e ajo pak pasuri modeste e fermerit në fshat,
Ashtu siç nuk ka drejtësi e ligj në gjykata e prokurori për shqiptarin e thjeshtë pa pushtet.
Tashmë maskat kanë rënë fare !
Nuk ishte aspak koincidencë që jo vetëm talebanizmi mbi kulturën kombëtare por dhe makutëria mbi pasurinë publike e private tek Teatri Kombëtar u realizua veç pas vendimit politik të Gjykatës Evropiane të Strasburgut kundër të drejtës mbi pronën private, për qytetarët shqiptar.
Nuk është aspak e këndëshme të konsiderosh vendimin e një gjykate, për më tepër të Gjykatës Evropiane të Strasburgut si një vendim politik !
Por ai i tillë ishte e se luan as topi, ashtu siç nuk e luan as topi vetë vendimin e Gjykatës.
Por ne, më të fortë se vetë topi duhet të kemi logjikën dhe faktet.
Mund të rendisë këtu një dyzinë faktesh e provash pse ai ishte një vendim politik.
Por ky nuk është as qëllimi i këtij shkrimi dhe as koha e përshtatëshme për këtë denoncim.
Por në respekt të moralit, dinjitetit dhe integritetit, (këto si parime), po përmend veçse një fakt flagrant.
Gjykata Evropiane e Strasburgut ka urdhëruar kompensimin e pronave të sekuestruara nga diktatura vetëm në masën 10%.
Këtë edhe për të gjitha rastet që përkojnë me kohën kur ligjvënësi shqiptar ka vendosur për kompensimin 100% .
Ku e gjen të drejtën një gjykatë të tjetërsojë vendimin e ligjvënësit pas shumë vitesh e kur nuk është gjetur kurrë antikushtetues ??!!!!
Ky pra është një qëndrim i pastër politik i Gjykatës Evropiane të Strasburgut.
Askush prej tyre nuk ka kompetencë, të drejtë apo legjitimitet të shkruajë ligje në emër të ligjvënësve të një vendi.
Mund ta konsiderojnë një legjislacion jo në përputhje apo që dhunon “Konventën Evropiane të Drejtave dhe Lirive të Njeriut”, por jo të shkruaj ligje që ndryshojnë vullnetin politik të ligjvënësit !
Ndaj dhe mafia me pushtet dhe që ka kapur shtetin në Shqipëri u ndie aq e fuqishme dhe shpërfillëse tek Teatri Kombëtarë dhe jo vetëm.
Padyshim që ai është dhe mbetet një vendim gjykate që veç zbatohet përsa kohë nuk do të kemi një vullnet të ri politik në legjislativin shqiptar.
Por ajo që nuk mund të pranojmë e të lejojmë mbetet modeli që po shohim me drejtësinë në Shqipëri.
Qartazi kapja e shtetit prej mafies, sjellja dhe paprekshmëria e krimit dhe korrupsionit tashmë kërkon të imponohet jo më përmes qeverisë e pushtetit politik por asaj që presupozohet të jetë e pakundërshtueshme, pushtetit të drejtësisë !
Në Shqipëri tashmë mafia synon të na thoë : “Ja, nuk është qeveria, nuk është pushteti, nuk është politika që ju vjedh, varfëron, dhunon, poshtëron.
Eshtë Vendim Gjykate, hesht e zbatoje !”, paçka se qeveria, pushteti, politika e kontrollon, komandon e urdhëron “drejtësinë” që flet !
Që nga momenti i grabitjes së pronës pronarëve legjitim tiranas e dhënies bisneseve të tjera private përmes vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit të Edi Ramës në 2017, sot më 2020 duhet të kishte përfunduar dhjetë herë hetimi për Edi Ramën dhe Erion Velinë.
Sot duhet të ishim duke vlerësuar vendimin e Gjykatës Speciale Antikorrupsion për këta dhe të gjithë abuzuesit e tjerë.
Por kjo nuk mundet të ndodh dot sot në Shqipëri.
Shteti ligjor dhe ai i së drejtës janë asgjesuar tashmë në këtë vend.
Duke rikujtuar grabitjen e familjeve tiranse tek zona 15 katëshit, duke parë grabitjen e çdo shqiptari tek punësimi i tyre, tek rroga e pensioni, tek taksa e bisnesi, tek spitalet, rrugët e shkollat, tek uji dhe buka e fëmijëve, duhet të mos harrojmë kurrë se liria fitohet nuk dhurohet, e drejta ndërtohet nuk importohet.
Mund të importojmë pa fund mallra e të mira materiale, cilësore apo të skaduara, qofshin.
Mund të importojmë kulturë e civilizim.
Por lirinë dhe të drejtën nuk mund ta importojmë dot !
Ato veç mund ti ndërtojmë e mbrojmë ne vetë, këtu !
Drejtor
Vladimir Muçaj
Kryeredaktor
Besim Dybeli
Gazetar(e)
Valjeta Krosi
Enkelejda Troka
Ymer Hysa
Fidalete (Ahmeti) Muçaj
Greta Hoxha (Kulturë & Marketing)