Dr. Ibrahim Rugova (2 dhjetor 1944- 21 janar 2006) – Presidenti Historik i Kosovës
Formula e presidentit Rugova: Një Kosovë e pavarur, demokratike, e integruar në Bashkimin Evropian e në NATO, në miqësi të përhershme me SHBA-në, do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës!
Sot, në 2 dhjetor do të festonim 77- vjetorin e lindjes së Dr. Ibrahim Rugovës, i cili lindi në Cerrcë të komunës së Istogut. Në 1945 komu¬nis¬tët jugosllavë i pushkatojnë ba¬banë dhe gjyshin, për shkak se ishin shquar si luftëtarë nacionalistë kundër çetnikëve serbë.
Diplomohet në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prish¬tinës, më 1971.
Ishte vetën 24 vjeç kur Ibrahim Rugova do të shkruante esenë e tij të parë për themeluesin e shtetit shqiptar, Atin e Kombit tonë, Ismail Qemal Vlorën.
Më 1984 mbrojti doktoraturën në letërsi në Universitetin e Prishtinës.
Në 1996 zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Më 1989 u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë, që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komu¬nist në fuqi. Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 24 majit 1992 u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës, ndërsa në mars të vitit 1998 u rizgjodh Kryetar i Republikës, kur partia e tij, LDK-ja, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Kur NATO-ja nisi sulmet ajrore në një përpjekje për ta detyruar Millosheviçin të tërhiqte forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe nga Kosova në mars 1999, policia hyri në banesën e Rugovës në Prishtinë dhe e vendosi së bashku me familjen e tij në arrest shtëpie.
Pas më shumë se një muaj, Rugova dhe familja e tij u lejuan të largoheshin për në Itali. Ai u kthye në shtëpi në Kosovë pas përfundimit të luftës, në korrik 1999. Kosova fitoi Lirinë dhe Pavarësinë e vërtetë kur mendimit dhe aksionit politik të presidentit Rugova iu shtua si uragan lufta e armatosur e UÇK-së e drejtuar nga Komandanti i Përgjithshëm Adem Jashari, drejtuesi politik Hashim Thaçi dhe komandantët e tjerë, që me ndihmën thelbësore dhe përcaktuese të NATO-s dhe SHBA, i sollën lirinë Kosovës. Për këtë Liri, ne shqiptarët u jemi përjetësisht si komb mirënjohës dhe borxhlinj Shteteve të Bashkuara të Amerikës!
Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi bindshëm në zgjedhjet lokale dhe parlamentare të mbështetura nga ndërkombëtarët në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000. Në mbështetje të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 17 nëntorit 2001, u zgjodh Kryetar i Kosovës.
Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.
Dr. Ibrahim Rugova është nderuar si në gjallje, ashtu edhe pas vdekjes me çmime të shumta nga vende, universitete, akademi e institucione në mbarë botën.
I quajtur “babai i pavarësisë së Kosovës”, Rugova ndërroi jetë në janar 2006 kur ishte gjatë mandatit të tij të dytë si president. Në këtë kohë, ai po merrte pjesë në negociatat e drejtuara nga OKB-ja me Serbinë rreth statusit të ardhshëm të Kosovës, që çoi në shpalljen e pavarësisë në shkurt 2008.
Dr. Rugova ishte politikan vizionar. Trinomi i tij: Liri, Demokraci, Pavarësi për Kosovën mbështetej në tre parime dhe synime:
- Do të bëjmë pajtimin e brendshëm (duke njohur mëritë dhe ndasitë shqiptare),
- Në Ballkan popujt janë të njëjtë (në numër), (me këtë theksonte barazpeshën në rajon- serbët në numër të përafërt me shqiptarët),
- Kosova e integruar në BE e NATO, me miqësi të përhershme me SHBA, (duke theksuar këtë vizion si domosdoshmëri dhe program politik të Kosovës).
Dr. Ibrahim Rugova ishte një njeri që i bashkoi shqiptarët e Kosovës rreth idesë së Lirisë dhe Pavarësisë dhe krijoi ura të forta miqësie me shtetet europiane dhe mbi të gjitha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Siç e cilëson ish- presidenti i Kosovës Dr. Fatmir Sejdiu: “Si studiues i thellë i letërsisë dhe kulturës shqiptare, dr. Ibrahim Rugova ka lënë pas një trashëgimi që rri në themelet e dijeve tona. Rugova dijetar u bë udhëheqësi i rezistencës së popullit shqiptar të Kosovës.”
Për dr. Ibrahim Rugovën janë shprehur me respekt të veçantë të gjithë presidentët e mëvonshën të Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, Hashim Thaçi, Vjosa Osmani, duke e vlerësuar si: “Burrështetasin e parë shqiptar dhe presidentin Historik të Kosovës!”
Presidenti Ibrahim Rugova ishte profet i kombit shqiptar, arkitekt i Pavarësisë së Kosovës, kolosi dhe atdhetari më i devotshëm në historinë e saj të re, i cili me përkushtim të madh tërë jetën e tij luftoi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Siç e thekson studiuesi i njohur, akademik Sabri Hamiti në “Memento për Rugovën”, “Po të përdornim metodën rugoviane për të, do të thonim që në fillim Rugova ishte Vetvetja. Më thellë bëhet i ngjashëm me Ismail Qemalin që ngriti Flamurin. Edhe më thellë me Naimin që predikonte mirësinë universale në një situatë të egërsimit e i ngjashëm me Fishtën në përmbysjen e së keqes për hir të humanitetit e të idealizmit kombëtar. E së fundmi, me Bogdanin (autorin e personalitetin e tij të preferuar) që bashkonte predikimin e mirësisë, rebelimin e përkushtimin për lirinë.”
Rugova e donte Kosovën. E kishte në shpirt, në zemër, në ëndrrat, në lutjet e tij.
Në mbyllje të këtij postimi modest po përcjell lutjen e tij për Kosovën, në 12 qershor 1999:
“Të lutemi o Zot
Për lirinë që na fale
Të lutemi, o Zot
Për kthimin tonë
Në Kosovën tonë
Në tokën tonë
Të falemi ty
Për këtë mrekulli
O Zot!”