Më i shtrenjtë se vaksina, Bledi Mane: Kryeministri i vendit më të varfër pi një nga ujërat më të shtrenjtë në botë
Kur kryeministri bujt në një studio televizive i pari futet qeni antieksploziv, i dyti qeni antiterror dhe më pas oficerët e gardës kontrollojnë çdo skutë për sigurinë e tij. Me qentë e Gardës së Republikës futet edhe drejtori i marrëdhënieve me mediat Endri Fuga i cili kuron dhe kujdeset për daljet publike të Edi Ramës. Por ndoshta Fuga i dalldisur nga skandali i darkës sē shtrenjtë me mishin e Nusretit në Dubai duket sikur qëllimisht gremisi edhe vetë Edi Ramën në gropën e salltaneteve të shtrenjta të pushtetarëve. Gjatë gjithë kohës televizive pardje në programin e Eni Vasilit (jo Eni Çobanit) Edi Rama mbante pranë vetes dhe pinte ujë Fiji, një nga 10 ujërat mineralë më të shtrenjtë në botë. Për të ardhur deri në Tiranë, një shishe uji Fiji bën 16 mijë e 600 kilometra rrugë nga ishujt jugorë të Oqeanit Paqësor deri në Ballkan.
Ndërkohë unë sapo përfundova një vëshgim sipërfaqësor në marketet e kryeqytetit dhe gjeta sa kushton ky ujë, 2200-3200 lekë të vjetra për shishe…
Shqipëria ka burime të shumta e të pashtershme ujërash të pijshëm. Biznesi vendas ka ngritur rreth 36 fabrika uji nga Jugu deri në Veri. Cilësia dhe çmimet e ujërave tona janë fantastike. A nuk do ishte bukur dhe paqësisht modeste që Edi Rama të konsumonte nga ujërat tona Qafshtama, uji B, Lajthiza, Tepelena, Trebeshina. Promovonte biznesin vendas, njëkohësisht harxhonte vetëm 200 lekë për gjysëm litri ujë të ëmbël e të shijshëm Made in Albania!