Poeti, Aleksandër Çipa, në “Rahma School”
“Letërsia, si ushqim i përhershëm shpirtëror, edukues e formues për të rinjtë”, – ky ka qenë lejtmotivi i një bisede me dy klasat e maturës në shkollën Jo-Publike, “Rahma School”, zhvilluar në sallën e konferencave të kësaj shkolle. Z. Aleksandër Çipa, përpos detyrës, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptar, analist e opinionist, ka preferuar të flasë si poet me dy klasat e 12-ta të kësaj shkolle. Në takim, përveç të rinjëve, drejtuesëve të shkollës e mësuesëve, ka nderuar me pjesëmarrjen e tij edhe Presidenti i shkollës, z. Kastriot Duka. Pas prezantimit të shkrutër, që iu bë z.Çipa, rreth karrierës së tij 30 vjeçare në media të rëndësishme të vendit e më gjërë, biseda ka rrjedhur natyrshëm rreth temës së përcaktuar. Lektori, Çipa, ka folur për rolin e pazëvendësueshëm të gjinisë së letërsisë dhe zhvillimet e saj në epoka të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Ai ka cekur edhe autoçensurën e brezit të tij dhe më tej, në lëvrimin dhe studimin e letërsisë, diktuar nga çensuara e rreptë e sistemit komunist. Madje, lektori ka nënvizuar edhe persekutimet e shumë autorëve shqiptar nga ky regjim, si dhe ndalimit të studimit të shumë autorëve të huaj. Ai do jepte mesazhin e studimit të thellë të letërsisë për brezin e ri, si një ushqim i përhershëm shpirtëror, edukues e formues, pasi një angazhim i tillë, do tu hapte atyre horizonte të reja për jetën. Të rinjtë maturantë kanë ndjekur me shumë vëmendje këtë bisedë, si dhe kanë bërë pyetje e diskutime rreth temës së përcaktuar. Pra, maturantët, janë trajtuar si objekt dhe subjekt i kësaj bisede të zgjeruar. Z. Çipa ka marrë respektin dhe vlerësimin e të gjithë të pranishmëve dhe nga fondi i krijimeve të tij në tre breza, (i Ati, vetë ai dhe i biri), ka dhuruar për bibliotekën e shkollës një set me vëllime poetike.