RIGJALLËRIMI I LIDHJES SË SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE “FRYMËMARRJE DHE FRYMËZIM”
*Sot, në sallën e kompanisë Sigal në Tiranë,mes momenteve gjatë bisedave miqësore, përshëndetjeve të përzemërta,diskutimeve të lira e atyre përzgjedhëse për ringritjen e strukturave me synim rimëkëmbjen pas shumë vitesh të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve ,si dhe rifunksionimin e gazetës “Drita”,natyrshëm më janë kujtuar disa copëza të memorizuara nga ftesa e parë që kisha marrë nga kjo Lidhje letrare.
….”Ishte viti 2005,dhe pikërisht 40 – vjetori i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që u organizua në Durrës,ku midis 100 personave rastësia bëri që të jem një prej tyre e ftuar.Edhe pse sapo kisha filluar të punoja në një gazetë nuk shkruaja letërsi,por gjithsesi ,kur të gjithë poetët recituan një poezi të tyren, unë nuk kisha diçka timen ama pata guximin të prezantoja atje poezinë “Shkurorëzimi” të vëllait tim Ardian Kondakçiu ,i cili nuk jetonte më dhe që ia kisha botuar në librin me poezi “Një Ëndërr e ndërprerë ” 1 vit pas vdekjes.
Për çuditë time poezia e tij u vlerësua me çmim të Parë ,dhe shumë shkrimtarë aty më dhanë nxitjen që “edhe unë duhet të shkruaja,pasi (sipas tyre) kisha talent.”
Dhe sigurisht që pak kohë më vonë nuk mund të harroj momentet e memorizuara të gëzimit që kam përjetuar kur poezitë e mia të para u botuan në gazetën e mirënjohur letrare “DRITA” e,pas kësaj ,shkollimi im,puna dhe gjithë jeta ime u përqendrua te “të shkruarit”,që nisi fare rastësisht duke më dhënë drejtim,sepse gjeta aty veten.”
*Tamam, dhe ashtu si unë ,dëshiroj që ky Kongres i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve edhe pse pas pauzave të gjata (në mungesë të mundësisë por jo dëshirës) të ketë jetëgjatësi,sepse përpjekjet e zellshme të shumë shkrimtarëve,përfshirë me shumë respekt e vlerësim edhe modestin Agim Xheka (Moderatorin e Kongresit), pavarësisht pengesave,shpërblehen kur janë në drejtimin e duhur.
Ju shkoftë mbarë miq ! ARJOLA KONDAKÇIU Durrës 24.10.2020