Në ekspozitën “KURORË GURI” të artistit të arteve pamore Markel D Capo (i njohur edhe si djali që bëri “Art tërmetin”),hapur para pak kohësh te Kalaja në Tiranë,dedikuar femrës me forcën e jashtëzakonshme të sakrificës.
Mënyra e mprehtë se si e ka ndërthurur figurën heroike të femrës shqiptare legjendare nëpër kohëra, me një kala në kokë dhe nëpërmjet larmishmërisë së ngjyrave të veshjeve popullore që na japin njohje folklorike edhe për krahina të ndryshme,thekson edhe dëshirën fisnike për të promovuar turizmin shqiptar nëpërmjet pikturave.
Gërshetimi i elementik historik e motivit popullor me modernen,shpaloset ndjeshëm në realizime si :
*APOLLONIA – që me bukuri të rrallë ecën nëpër shtigjet e historisë.
*TAULANTIA (Torra e Durrësit)- që në trupin e sa ka mbrojtur qytetin nga pushtimi
*Princesha ARGJIRO- që identifikon Gjirokastrën.
*ROZAFA (e Shkodrës) – që sakrifikoi jetën dhe gjysmën e trupit për fëmijën.
*JEZERCA- e njohur për bjeshkët,shtigjet e nderin.
*SHOTA (Galica)- burrnesha me bukuri të rrallë.
…apo edhe:
*KULLA simbolike- që tregonte jo vetëm mikpritjen bujare të grave,por edhe që ruan historinë,plagët e trimave,ngujimin dhe pajtimin.
Interesante ishte që edhe pse nuk pata mundësi të isha në promovim,dija me detaje çdo pikturë,sepse Markeli e ka përdorur me mençuri dhe ekuilibër rrjetin social FB duke publikuar hap pas hapi nëpërmjet videove 24-orëshe edhe ecurinë e proçesit të pikturave që të joshin me mozaikun e ngjyrave,me pulsimin emocionues të shtegtimit nëpër legjenda e me shkrirjen harmonike të psikologjisë së personazheve.
2 (shtojcë)
…Duke medituar brenda ekspozitës,m’u rikthye fuqishëm historia e rrugëtimit plot sfida të Markelit (që e kisha lexuar rastësisht para 1 viti) ku për arsye nga më absurdet ia mbyllën rrugët drejt artit të ngjyrave pikërisht në momentin që i duhej dhënë mbështetje.
Madje,çuditërisht:
-Pjesa e parë,ngjante me përjetimet e ndrydhjeve që pësova në adoleshencën time kundrejt pikturës.
-Pjesa e dytë,përkonte me atë çka po kalonte djali im kundrejt mbarimit të Liceut për Pikturë dhe pikëpyetjes (duke u nisur nga faktorët hapësinorë të cunguar politiko-socialë në Shqipëri) nëse ‘duhet ta vazhdonte Akademinë e Arteve apo jo’…
Përsiatja në ekspozitë,më ndihmoi të rikujtoj që,nëpërmjet mënyrës së shkruar me aq përjetime reale në fjalë të formuluara me kujdes,historia e tij u bë një kuptueshmëri e së kaluarës sime dhe një qartësim i të ardhmes së djalit.
Por jo vetëm kaq,sepse mbyllja e historisë së këtij djali të talentuar ishte si “Rosaku i shëmtuar i H.K.ANDERSEN,që u kthye në një
mjellmë të bukur”.Kjo,falë motivimit të pasionit dhe këmbënguljes së Markelit që nuk i lejoi të tjerët tia vulosnin fatin,as ngeci te shprehja që “kështu është shkruar”,por që me vendosmëri e ndryshoi vetë atë,deri në realizimin e ekspozitës Kurorë Guri.
Suksese edhe në vazhdimësi
Markel D CAPO !
ARJOLA KONDAKÇIU