LIBRI : MIKU im i FËMIJËRISË
HISTORIKU
Trazirat politike të pas viteve 1990,ndikuan edhe në izolimin e fëmijërisë në fshat.
Për shkak të mungesës së filmave për fëmijë,ngrirjes së aktiviteteve kulturore,shpërthimit të depove të armëve dhe situatave të ndryshme socialo-ekonomike ku përfshihej edhe “detyrimi” i të vegjëlve për të punuar duke ruajtur një kafshë të caktuar që të ndihmonte familjen,ndikuan që fëmijët e asaj periudhe (që më përfshin edhe mua)të harronin lojërat spontane,të bukura,krijuese,sportive e edukuese dhe papritur të mbeteshin “FËMIJË pa FËMIJËRI”.
Nuk dinim ç’ishin lojërat elektronike,s’kishim as psikologë që të na ndihmonin për të kuptuar adoleshencën tonë,madje as kohën dhe vëmendjen e familjarëve por,ama,përtej këtyre rrethanave,(faktorit të kohës,energjive apo mungesës së të ardhurave) ishim edukuar dhe kishim të zhvilluar dashurinë për LEXIMIN.
* NJË TAKIM MBRESLËNËS *
Më kujtohet kur gjithçka pas viteve’ ’90 filloi të shkatërrohej në fshatin ku banoja ,dhe njerëzit përpiqeshin të merrnin sa më shumë objekte.Vëllai im Ardiani,më ka kapur për dore i shqetësuar dhe i karakterizuar nga një shpirt fisnik donte vetëm që të shpëtonte librat e Bibliotekës së fshatit.Ai dhe unë(atëherë 11-vjeçe) kemi rrezikuar jetën tonë për të nxjerrë një pjesë librash e,në një moment që tavanin e Bibliotekës po e shembnin njerëz të papërgjegjshëm që nuk e kuptonin se ç’humbisnin duke “i varrosur” ata libra,i dëshpëruar vëllai im thotë:-“Më vjen keq që shpëtova fare pak!”…
Kështu filloi zhytja ime në botën magjiko-reale të atyre librave “jetimë” që u bënë “miqtë e mi më të mirë”
PËRBALLJE me VETVETEN
(Nuk dua të ndalem tek ajo anë e stilistikës së të shkruarit,as te përshtypjet apo analiza letrare dhe as te motivet dashamirëse,por tek ajo që më mungonte dhe më plotësoi gjatë leximit në atë periudhë të vështirë.)
Te personazhet gjeja veten,atë që s’bëja dot:
+Të flisja me kafshët si rebeli simpatik “Nils Holgersoni në udhëtimin me patat e egra”
+Mrekullohesha nga mprehtësia e “Meri Popins
që i jepte jetë e gjallëri gjithçkaje abstrakte,me zhdërvjellësinë se si fluturonte me çadrën e saj por dhe për faktin se si hynte me imagjinatë në piktura e vende përrallore duke i bërë reale
+Frymëzohesha nga liria e “Pipi Çorapegjatës”sepse duke e shoqëruar me një gjendje të mirë humori ,e përdorte atë në dobi të të tjerëve.Madje,duke qenë “tip çuni” ku më shumë më pëlqente të fishkëlleja e të luaja futboll më shumë sesa të merresha me kukulla a të bëja punë shtëpie,Pipi ishte personazh perfekt për mua.
+Përfshirja në aventurat e “Tom Sojerit” i cili s’e kishte problem të shkonte në varreza natën,më ndihmoi të çlirohesha nga besëtytnia e frikës nga të vdekurit.Për më tepër,ngaqë isha me
10-ta në shkollë,gjithmonë e para dhe në qendër të vëmendjes ku as gabimin më njerëzor s’më lejohej ta bëja,e kisha pak zili personazhin e Tomit.
+Mahnitesha nga “Aventurat e Çipolinos” që ishte vetëm një qepujkë dhe më mësonte aq shumë për jetën.
+Fantazoja sikur isha Hetuese e ardhshme duke u emocionuar nga zbulimet e mistershme të “Anjezës me shtatë pikturat”.
+Ngaqë mbaja kaçavida e brisqe nëpër duar ose të fshehura nëpër xhepa,gjeja pak veten edhe te “Xhim Kopsa”,një libër voluminoz por me një strukturë të veçantë brenda shoqëruar me vizatime e pusulla në formë letrash.
+Kisha aftësinë të gjeja se ç’fjali vinte në çdo fletë të librit me përralla të vëllezërve Grim “Na ishte njëherë” e kjo s’ishte punë memorieje e as të të lexuarit përmendësh,por një përvetësim pasioni të këtyre perlave të shkruara me mjeshtëri.
+”Dhoma e Vogël e Librave”,me një nga historitë e shtatë princeshave me flokë super të gjata të cilat i ëndërroja se m’i prisnin gjithmonë të shkurtra,u bë libri më i dashur për mua.E mbaja poshtë jastëkut.Edhe pse ia kisha përpirë çdo gërmë,prapë doja të lexoja …e lexoja derisa më dhimbnin sytë.
MBYLLJE
Kam qenë “Brejtës Librash”.Gjithmonë pas mbarimit të leximit të një libri,haja ngadalë një pjesëz nga anësorja e një faqeje,dhe memorizoja shijen e letrës,veprim ky që në atë kohë të fëmijërisë më çonte në botën e dëshirave.
Tani që jam rritur,ndihem akoma fëmijë përbrenda.Kam pak motivim nga personazhet e mësipërme(që janë disa midis shumë të tjerëve të lexuar nga unë),por s’u bëra si askush.
UNË jam ARJOLA!
PERSONAZH në jetën reale.Me ato gjëra të realizuara,me ato pak të fshehura dhe me të tjera magji mendimesh që mezi presin të shpërthejnë. ARJOLA KONDAKÇIU
p.s. Tani kam vetëm një pjesë të librave në Bibliotekën familjare,pasi një pjesë të vogël ia kam dhuruar Bibliotekës së qytetit të Durrësit (ku banoj edhe vetë) gjatë organizimit të një aktiviteti letrar postmortum për vëllain,dhe pjesa tjetër shkoi për ringritjen e Bibliotekës së Re aty ku ndodhi ngjarja,në fshatrat Vajkan dhe Verri të rrethit FIER