Ndërsa po ndiqja premierën e komedisë “Edmond” të Alexis Michalik në skenën e Teatrit (godinë-munguar) Kombëtar, vetvetiu më erdhi në mendje pohimi gati aksiomatik i Kadaresë se “libri nuk e ftoh lexuesin”. Po aq natyrshëm perifrazova se publiku nuk e humb teatrin. Kjo premierë vjen në sallën e përshtatur teatrore “ArTurbina” pas dy vitesh mbylljeje të skenave në vend dhe në botë.
Izolimi pandemik i jetës njerëzore ishte i shumëfishtë si bllokues për teatrin në Botë. E gjithë skena u zbraz në kaq kohë. Kaq gjatë, asnjëherë nuk ka ndodhur në historinë njerëzore. Në këtë aspekt, kjo është drama më jetëgjatë e marrëdhënies së teatrit me publikun në rruzullin tonë.
Në kësi ndarjeje afatgjatë, sfida e rikthimit është përballje me riskun që përcaktohet, ose me duartrokitjet e rifituara, ose me heshtjen dhe aq më keq, fishkëllimën. Çifti regjisorial i premierës, – i tillë edhe në jetë – njëherësh aktorë, Andia Xhunga dhe Indrit Çobani, guxuan vetëdijshëm. Ata zgjodhën një vepër me sukses të provuar për të fituar rikthimin e suksesshëm në skenën shqiptare.
Komedia “Edmond”, e sjellë në skenë për herë të parë në një skenë shqipfolëse, është në vetvete një prurje e teatrit interpretues dhe racional në konceptin realizues të krejt strukturës dhe aktrimit të aktorëve-personazhe. Në këtë premierë sillet një disiplinë e fuqishme artistike. Ajo ka mishëruar rendin rigoroz të lojës dhe shfaqjes së secilit aktor sipas kohës, batutës, pantomimës, lëvizjes e kalimit nga njëri rol në rolin tjetër dublues. (Mjafton të vëresh Laert Vasilin që kalon gati në njëkohësi në rolin e Fejdo,Lysien,Lumiere, Genti Deçka nga Çehov te Melie, Arben Derhemi në pesë role etj.
Vepra e Alexis Michalik ia ka dalë të plotësojë në galerinë e repertorit europian të shfaqjeve edhe versionin shqiptar. Është një kurajo artistike e mbërritur nga Andia dhe Indriti, së pari, si sipërmarrje regjisoriale me gjetje dhe operime të shkëlqyera.
Në tërësinë e elementëve kjo premierë ofron modelin e një shfaqjeje që shemb tabutë e krijuara si imazh apo qoftë edhe perceptim për teatrin e traditës sonë. Është një sprovë e fituar evidentueshëm për distancë nga trashëgimia jonë rutinore e traditës teatrore. Ajo krijon një koncept të ri harmonik mes regjisë dhe skenografisë, mes atmosferës dhe gjallimit aktorial në skenë dhe në rrjedhën e subjektit të komedisë. Kalimet nga gjendja në gjendje, nga skena në skenë, përmes lëvizjeve aq domethënëse të objekteve dhe elementeve skenografikë, janë një risi atipike në këtë premierë. Densiteti i galerisë së personazheve që ka vetë komedia “Edmond” është plotësuar me talent dhe selektim nga dy regjisorët përgjatë punës përgatitore dhe sjelljes së versionit final në premierën e këtyre ditëve.
Historia argëtuese që ka në subjektin e vet komedia mbart bollshmërisht edhe notat komike edhe ato dramatike. Por nyja zhvilluese e subjektit, e bazuar në një absurd aq shëmbëllan me psikologjinë iracionale të individit të sotëm shqiptar, që rëndom e karakterizon shprehja frazeologjike “peshku në det, tigani në zjarr” apo “t’i bësh petullat me ujë”, i jep ritëm dhe rrjedhë komedisë. Kjo sepse e vendos në një kohezion lokal e shoqëror alla shqiptar, edhe pse i përket Parisit të hershëm.
Nis pikërisht me momentin kur Edmond Rostand (që vjen përmes lojës në ngjitje dhe mishërim të plotë të karakterit nga aktori Lulzim Zeqja), dramaturg 29 vjeçar, merr përsipër shkrimin e një komedie në vargje për tri javë, në prag të fundvitit në Paris. Ai mer përsipër suksesin, ndërsa nuk është shkruar ende vepra. Sfida e kohës dhe e mungesës së idesë për subjektin e ortakëruar papritur nga ngjarja rastësore përbën një linjë të mëvetësishme komike të veprës. Stisja e historisë së dashurisë së mikut të tij të afërt, bëhet papritur shpëtimi dhe destinacioni triumfal.
Kjo është premiera që do ta nxjerrë nga kthetrat e mjerimit dhe dëshpërimit dramatik Edmond Rostand-in. Në këtë situatë peripecish e kalvari, përfshirja në akt bashkëautorësie e aktorëve dhe producentëve, madje edhe e sponsorave aq karagjozë e gringo, shpërfaqet sukseshëm me një galeri sugjestionuese tipash dhe karakteresh nga kasta e aktorëve të rinj e të vjetër të kësaj premiere.
Nuk mund të mos të mbartësh në përshtypjen dhe imazhin tënd, pas daljes nga salla e premierës, karakteret e realizuara nga aktorët Vasian Lami, Helidon Fino, Arben Derhemi, Lulzim Zeqja, Luli Bitri, Laert Vasili, Genci Fuga, Myzafer Zifla, Besmir Bitraku, deri tek aktorja e re aq spikatëse, Ilirda Bejleri. Raportet mes tyre në lojë dhe, sidomos, energjizmi shkëmbyes në lëvizjet apo hyrje-daljet skenike me karakteristika karakteresh, vlen të çmohen e vlerësohen sipas karakterizimit të Harold Bloom se “energjitë e kuturisjeve (të tyre) mund të ndryshojnë cilësisht, por janë intensivisht të barabarta”.
Në këtë premierë suksesi, imponimi i duartrokitjeve si epilog vjen prej lojës, plastikës, aktrimit dhe imitimit antropologjik të galerisë së personazheve. Triumfi komik i ripërsëritur, skenë pas skene, në situata dhe kontekste dramatike, vjen i qartë dhe ndriçues nga aspekti dhe realizimi aktorial dhe regjisorial tek premiera e “Edmond” në shqip. Aktorët ia kanë dalë të mishërojnë personazhet e “Sirano dë Bërzherak” të “Edmond”, duke realizuar një shfaqje brenda një shfaqjeje, në funksion të një komedie me bërthamë komedie.
Dhe kryemeritorët në këtë akt realizues janë çifti i regji-zgjedhjes, Andia dhe Indrit Çobani.