Nëse provohet korrupsioni tek inceneratorët, qeveria duhet të japë dorëheqjen
Shumica e shqiptarëve mendojnë se qeveria duhet të japë dorëheqjen nëse provohet korrupsioni në çështjen e inceneratorëve.
Në Barometrin e Euronews Albania, 42% e shqiptarëve kërkojnë largimin e qeverisë nëse koncesioni është korruptiv. Ata që e kundërshtojnë dorëheqjen e qeverisë janë rreth 40%.
Shqiptarët janë të ndarë thuajse barazim mbi pyetjen nëse Edi Rama e ka ditur për korrupsionin e Lefter Kokës në çështjen e inceneratorëve.
Rreth 36% e tyre janë shprehur se kryeministri i ka ditur shkeljet, ndërsa rreth 38% mendojnë që nuk ka pasur dijeni.
Më shumë se gjysma e shqiptarëve mendojnë që Lefter Koka kishte dijeni për hetimin ndaj tij prandaj dha dorëheqjen nga mandati i deputetit.
Pyetjes nëse tërheqja e tij ka lidhje me çështjen e inceneratorëve, 53% i janë përgjigjur PO, ndërsa rreth 20% i janë përgjigjur negativisht.
Gjetjet e Barometrit në Euronews janë të anketës së kryer në datat 13-24 janar me 1000 intervista ballë për ballë në familje.