Sekuestrohen 50 mijë euro të padeklaruara në Muriqan, ishin fshehur në një valixhe brenda “Audit”.
Policia Kufitare e Muriqanit ka goditur një rast të mosdeklarimit të parave në kufi, duke sekuestruar shumën prej 50 mijë eurosh.
Gjatë kontrollit në kufi, policia ka zbuluar shumën e eurove të fshehura në një valixhe, brenda mjetit tip ‘Audi”, ndërsa ka nisur procedimin penal për drejtuesin e mjetit, shtetasin B. M.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe analizës së rriskut, shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar në vijën e dytë për kontroll më të detajuar një automjet tip Audi.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në automjetin tip Audi që drejtohej nga shtetasi B. M. 31 vjeç banues në Tiranë, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në një valixhe 50.000 Euro, të cilat shtetasi B. M. nuk i kishte deklaruar. Shuma e parave u sekuestrua në cilesinë e provës materiale
Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër, u procedua në gjëndje të lirë shtetasi B. M. për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë“ dhe materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.