Biznesmeni miliarder Samir Mane është ndoshta personi më i lumtur në Shqipëri qëkur ka mësuar zhdukjen e Vis Martinajt.
Oligarku ka patur përplasje të forta me bosin e lojërave të fatit, aq sa Martinaj ka shkrehur pistoletën në drejtim të Manes, por plumbat i mori në trup bodyguard-i i tij, oficeri i Gardës së Republikës, Martin Nikaj. Ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2018 te Hotel Padame, vetëm 50 metra larg Kryeministrisë.
Kjo ngjarje u sfumua, u fsheh si nga policia, shteti por po ashtu edhe nga Mane e Martinaj.
E vërteta nuk duhej të merrej ne vesh. E vërteta ishte që njeriu më i fuqishëm në Shqipëri, Samir Mane ishte qëlluar me armë zjarri nga Martinaj dhe njerëzit e tij në 24-25 maj 2018. Për pasojë vritet gardisti Nikaj, ndërsa Mane merr një plumb në këmbë dhe një në bark. Biznesmeni është trajtuar jashtë vendit. Ndërsa pas kësaj ngjarje Vis Martinajt i rrëmbejnë tre nga ‘ushtarët’ e tij dhe fati i tyre nuk u mësua kurrë edhe sot e kësaj dite.
Por ajo që do të vuloste fatin e zi të Vis Martinajt do të ishte përplasja me armë zjarri me grupin e Ervin Matës mbrëmjen e 4 tetorit te lokal ‘Monopol’ në zonën e ish-bllokut. Aty u vra shoqëruesi i tij Ervin Gaxha, u plagos Martinaj dhe i afërmi i tij Eljo Hato. Të shtënat erdhën nga arma e punonjësit të Gardës së Republikës, Mevjol Bilo, i cili vijon të jetë në arrati.
Përgjatë këtyre 4 viteve atij i kanë eliminuar disa prej shokëve dhe miqve me të cilët bënte punët e pisëta.
Shumë shpejt biznesmeni i lojërave të fatit do ta gjente veten pa miq dhe shokë, ndërsa në 17 korrik 2022 i vrasin edhe djalin e xhaxhait, personin e tij më të afërt, Brilant Martinaj. Vrasje e cila me sa duket nxori në lëvizje Vis Martinajn për të kërkuar mbështetje nga grupet kriminale. Pikërisht gjatë kësaj kohe ai është ekspozuar dhe s’ka qenë e vështirë për armiqtë që të mësojnë për lëvizjet e tij. Prej datës 9 gusht Vis Martinaj rezulton i zhdukur dhe për fatin e tij ka të dhëna sa kontradiktore aq edhe tronditëse.
Mane zgjidh ‘qesen’
Samir Mane mësohet se pas lajmeve për zhdukjen e Martinajt është parë i relaksuar dhe shumë herë më i qetë se gjatë këtyre 4 viteve. Madje, biznesmeni në një darkë me ortakë dhe biznesmenë të tjerë, ka deklaruar se do investojë rreth 500 milionë euro për hotele, vila dhe resorte turistike në jug të Shqipërisë.
Kujtojmë që Mane, pronar i TEG, QTU, Rolling Hills, Vala Mar në Hamallaj, i disa kullave shumëkateshe në Tiranë, është edhe pronar i resortit gjigant me vila luksoze në Palasë. Gjithashtu, ai po ndërton komplekse vilash edhe në Dhërmi, ndërsa synon që të ndërtojë resorte edhe në bregdetin e Himarës, Borshit, Porto Palermos, Sarandës dhe Ksamilit.
Pra, me pak fjalë bregu jonian do të shndërrohet shumë shpejt një çiflig privat të Samir Manes.
Planin për investime galopante Mane e zbuloi edhe gjatë intervistës me Ori Nebijajn në ‘Pushime on Top’. Basti i Samir Manes është 500 milionë euro investime për 3-4 vitet e ardhshme.