“Merrja kërcënime të përditshme me vdekje”! Gazetarja e “Zërit të Amerikës” rrëfen komplotin kundër saj: FBI më kishte thënë që…
Masih Alinejad, një veprimtare për të drejtat e grave në Iran dhe drejtuese e një programi në shërbimin persian të Zërit të Amerikës, ishte në shënjestër të një përpjekjeje të sofistikuar rrëmbimi nga autoritetet iraniane. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kritikja e regjimit iranian tregon se si agjentët federalë amerikanë e shpëtuan atë nga komploti.
Masih Alinejad, drejtuese e emisionit Tablet të shërbimit persian të Zërit të Amerikës, thotë se nuk është hera e parë që merr kërcënime, por jo deri në këtë shkallë.
“Unë e di se Republika Islamike kishte një plan të më rrëmbente nga Nju Jorku. Nuk mund ta besoj as vetë. Por FBI-ja më kishte thënë tetë muaj më parë, që nuk mund të isha e sigurt në shtëpinë time. Unë nuk e mora aq seriozisht dhe u thashë se merrja kërcënime të përditshme me vdekje”, thotë zonja Alinejad për Zërin e Amerikës.
Sipas agjentëve federalë të Shteteve të Bashkuara, komploti i hollësishëm, me sa duket i ndërmarrë nga agjentët e zbulimit të Iranit, përfshinte rrëmbimin e zonjës Alinejad dhe dërgimin me forcë të saj në Iran. Të martën, Departamenti i Drejtësisë akuzoi zyrtarisht pesë shtetas iranianë për përfshirje në këtë skemë.
“Ata kurrë nuk kishin bërë diçka kaq të guximshme, një përpjekje për të rrëmbyer një shtetas amerikan në Shtetet e Bashkuara, por e kanë bërë një gjë të tillë në Evropë, e kanë bërë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ky është një regjim që mbijeton i mbështetur tek terrori dhe frika. Dhe Masih Alinejad ka qenë shumë e zëshme në kritikat e saj ndaj regjimit iranian dhe ka qenë shumë efektive në përpjekjet për t’i bërë njerëzit të organizohen në forma të ndryshme të qëndresës ndaj regjimit”, thotë Abbas Milani, Drejtor i Studimeve Iraniane në Universitetin Stanford.