Mat/ “Koloneli” i 21 janarit, kryebashkiaku burgaxhi Agron Malaj, po u grabit ujin banorëve me dy HEC-e të paligjshëm
Pushtet me drejtues lokalë banditë, vrasës e hajdutë, që po grabisin pasuritë e banorëve të zonave, me dokumente false dhe me dhunë kriminelësh e mbrojtje policore; të cilët jo vetëm nuk japin askund llogari për abuzimet gjatë detyrës, por as nuk thirren nga drejtësia për krime të tilla, për shkak se kryepolicë, prokurorë e gjyqtarë janë futur në “thes” prej tyre.
Edhe në Bashkinë Mat, banorë të fshatit Madhesh në Ulëz, kanë nisur dhe po vazhdojnë një betejë të fortë, për të mbrojtur ujin e tokave të tyre, nga një grup mafioz që po tenton të ndërtojë “HEC-Madhesh” dhe “HEC Traja 1-2”.
Skandal është fakti, se këto HEC-e që do t’u zhdukin ujin banorëve të fshatit Madhesh në Ulëz, do ndërtohen nga firma “A.R.M-Albania Shpk” e kolonelit të 21 janarit Agron Malaj, prej 2 vitesh Kryetar i Bashkisë-Mat, kompani që administrohet nga bashkëshortja dhe vëllai i tij Fatos Malaj.
Për aktivitetin e këtyre HEC-ve, kryebashkiaku Agron Malaj, ka krijuar firmën tjetër “TRAJA&MADHESH”, ku vëllai i tij Fatos Rufat Malaj është aksioner me 80%, ndërsa miku i tyre Dorjan Bardhaj nga Durrësi ka 20% aksione.
Gjithë dosja e lejes dhe ndërtimit të këtyre dy HEC-ve në pronësi të kryebashkiakut Agron Malaj, është zinxhir falsifikimesh e shkeljesh të rënda ligjore, të cilat i ka zbuluar KLSH-ja.
Në vendimin Nr. 64, datë 07.06.2021 të KLSH, për kontrollin e ligjshmërisë së “HEC-Traja 1” dhe “HEC Madhesh” mbi lumin e Lunresë, degë e lumit Mat, konstatohen abuzime të shumta.
Së pari, Këshilli i Basenit Ujor-Mat, i ka dhënë firmës private të kryebashkiakut Malaj, 3 dokumente brenda datës 22.09.2017, të tre me shkelje të rënda ligjore, konkretisht Leje Nr. 000029 për përdorimin e ujit si rrjedhje, Leje nr. 132, për përdorimin e burimit të ujit dhe Vendim nr. 31 për ndërtim HEC-esh.
Sipas raportit të KLSH, firma private e kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj, para e pas marrjes së lejeve, ka paraqitur raport fals, për gjoja konsultime të shpeshta me banorët e fshatit Madhesh-Ulëz e firmosje të tyre për pranimin e HEC-ve, kur në fakt nuk ka bërë asnjë konsultim me ta e ka firma false.
Me të dhëna false, është hartuar dhe studimi i ndikimit në mjedis të HEC-ve; por skandal është fakti, se këtë raport e ka hartuar firma private “Dekliada-Alb Shpk” e Mehmet Hasalamit, Drejtor i Projekteve Ujore-Energjetike në Ministrinë e Energji-Infrastrukturës, i cili ka detyrë t’i kontrollojë këto HEC-e.
Në vendimet Këshillit të Basenit Ujor, është përcaktuar që ndërtimi i këtyre HEC-ve, të mos kufizojë furnizimin e banorëve me ujë për vaditje, ndërsa sipas projektit të ndërtimit, uji për vaditje do zhduket.
KLSH ka konstatuar, se firma e kryebashkiakut Agron Malaj, që po ndërton e ka në pronësi HEC-et “Madhesh” e “Traja”, ka deklaruar sikur gjoja vetë banorët, kanë pranuar t’u zhduket uji i vaditjes së tokave, kur në fakt ata kanë protestuar e po vazhdojnë protestat për ujin
Madje edhe vetë Njësia Administrative-Ulëz që varet nga kryebashkiaku Malaj, ka protestuar në emër të banorëve të fshatit Madhesh, me Shkresë nr. 31, datë 01. 02.2020 drejtuar Këshillit të Basenit Ujor-Mat, duke kërkuar të mos u grabitet uji i vaditjes.
Shumë ankesa e kërkesa madje dhe potesta para Bashkisë Mat, i janë bërë kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj nga banorët e fshatit Madhesh, por ai i ka shpërfillur e madje i ka kërcënuar fizikisht me të fortë e me polici; sepse është vetë ndërtuesi dhe pronari i dy HEC-e mbi lumin e Lunresë.Kaq për sot…