Helmimi në Krujë, Manastirliu: 370 pacientë kanë marrë shërbim; pistat që po hetohen.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ndodhet në Krujë, pas ngjarjes ku me qindra qytetarë u paraqitën në spital me simptoma helmimi.
Manstirliu u shpreh se deri më tani 370 persona kanë marrë shërbim në spital, të moshave të ndryshme, teksa tha se situata është e qetë pa komplikacione.
Ndër të tjera ministrja tha se janë marrë mostra të ujit dhe të ushqimeve dhe se do të bëhen analizat për të zbuluar shkakun e kësaj situate.
“Situata është e qetë pa komplikacione. 370 qytetarë kanë marrë shërbim. Janë vizituar. Aktualisht sot janë paraqitur 60 qytetarë. Janë dhe disa që po marrin shërbime. Ka edhe adoleshentë, të rritur dhe fëmijë.
Pistat? Janë marrë mostrat e ujit dhe ushqimeve, hetimi po bëhet në të gjitha aspektet. Rezultati I analizave mikrobiologjike ka një afat të caktuar, kur të kemi rezultatet do kemi një raport të detajuar.
I gjithë sistemi shëndetësor është në gatishmëri të plotë. Nëse do ketë raste të shtuara edhe në spitalin e Durrësit mund të vendoset në gatishmëri për rastet. Hetimi bëhet në shumë pista që të kemi të kontrolluar të gjithë aspektin e kujdesit shëndetësor” tha ajo ndër të tjera.