MIROSLAV LAJÇAK PËRMBYLL VIZITËN ME LIDERËT POLITIKË NË PRISHTINË/JA ÇFARË U DISKUTUA
Miroslav Lajçak, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ka kërkuar nga Prishtina të pranojë se formimi i Asociacionit të Komunave Serbe në vend është kusht për procesin dhe për arritjen e marrëveshjes dypalëshe.
Bashkimi Europian i ka bërë thirrje aktorëve politikë në Kosovë se duhet t’u përmbahen zotimeve të marra përsipër nëse duan të arrijnë marrëveshjen finale me Serbinë.
Pas tri ditëve konsultime në Prishtinë, emisari i posaçëm i dialogut dypalësh, Miroslav Lajçak, i bërë thirrje autoriteteve të angazhohen për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, një pikë kyç e kontestuar nga krerët kosovarë por e kërkuar me ngulm nga pala serbe.
Lajçak tha se tema e bashkësisë duhet rikthyer në tryezat e negociatave në Bruksel.
“Asociacioni është pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Themelimi i tij ka ngjallur emocione këtu në Kosovë e BE-së nuk i intereson ta destabilizojë gjendjen, por Kosova këtë zotim e ka marrë në vitin 2015. Asociacioni do zbatohet pas nënshkrimit të marrëveshjes, por detajet për të duhet të dakordohen që të mos ketë asnjë paqartësi në momentin e nënshkrimit.“
Kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti Hashim Thaçi këmbëngulin që formimi i bashkësisë së komunave serbe të ndodhë pasi Kosova dhe Serbia të kenë njohur shtetësinë e njëra-tjetrës.
Lajçak tha se palët duhet të përgatiten për lëshime gjatë dialogut.
“Nëse nuk ka marrëveshje nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve. Dialogu është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen europiane të Kosovës. Dialogu duhet t’i mbyllë të gjitha çështjet e pazgjidhura me Beogradin, por në të njëjtën kohë duhet të jetë e qartë se çdo marrëveshje mund të jetë vetëm rezultat i një kompromisi.“
Lajçak takoi këto ditë edhe liderët e partive opozitare në Kosovë.
Ai tha se mori konfirmimin se do i qëndrojnë marrëveshjeve të arritura deri tani me Serbinë, përfshirë atë për krijimin e Asociacionit, që Gjykata Kushtetuese e vendit e ka gjetur me shkelje.
Pas Prishtinës, Beogradi është destinacioni i radhës për ish krye-diplomatin sllovak Lajçak.