Durrës/ Krye-drejtori i mjedisit Edison Konomi, modeli i frikshëm i krimit dhe i korrupsionit në qeverinë “Rama”
Krimi bëhet me fuqinë e pushtetit dhe zhduket me fuqinë e tij/ Prokurorët e pushuan çështjen për shkak të lidhjeve në miqësi e interesa me drejtorin Edison Konomi; duke deklaruar, se përgjegjës për shembjen e pallatit nuk janë Perikli, Leonard e Edison Konomi që ndërtuan kate shtesë pa leje e me letra false, që nuk përdorën sasinë e duhur të hekurit dhe hoqën kolonat mbajtëse për lokal… por është një inxhiner i cili ka vdekur.
Është krim, që duhet ri-hetuar nga SPAK, procesi hetimor i çështjes së pallatit “Konomi” në Durrës, ku nga tërmeti u vranë 2 familje me 7 anëtarë, por nuk u prek asnjë nga pronarët investues e ndërtues, Perikli Konimi, Leonard Konomi e Edison Konomi.
Shkak i mos marrjes së tyre të pandehur, nuk ishte mungesa e provave, por fuqia që Edison Konomi, Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, ka te kupola e pushtetit dhe e drejtësisë; jo vetëm sot që jep leje të paligjshme mjedisi, por qysh prej viteve 2013-2014 kur ishte Drejtor Dogane në Durrës.
Referuar dokumenteve ndërtimore të këtij pallati dhe akt-ekspertimit, që ekspertët ligjor Rikard Luka e Anjeza Gjini kanë dorëzuar në Prokurorinë Durrës; sipas Kodit Penal, ata që ndërtuan pa leje dhe shitën pallatin, konkretisht Perikli, Leonard dhe Edison Konomi, duhet të ishin në burg.
Mirëpo prokurorët dhe gjyqtarët në Durrës, nuk i përfillën, ose më saktë i zhdukën qysh në hetim, dokumentet që provojnë, se shkak për vrasjen e 7 njerëzve te pallati “Konomi” në Durrës ka qenë abuzimi i rëndë i pronarëve me projektin.
Ja disa shkaqe reale, të paraqitura nga ekspertët, të cilat, 3 prokurorët e Durrësit nuk i pranuan si prova, për shkak se janë miq interesash me Drejtorim e Agjencisë Kombëtare Mjedisit, Edison Konomi:
– Nuk është respektuar projekti konstruktiv i 5 kateve të pallatit.
– Në kolonat dhe trarët e themelit e të krejt ndërtesës, është përdorur vetëm 60% e sasisë së hekurit, që përcaktonte projekti.
– Mbi 5 kate, është ndërtuar 1 kat shtesë, mbi peshën mbajtëse të llogaritur në projektin e pallatit.
– Leja e ndërtimit të pallatit 5 kate, është gjetur në protokollin e KRRT të Bashkisë Durrës, me planimetri pa vulë; leja e ndërtimit për shtesë kati është pa datë, pa vulë, pa preventiv, pa projekt, pa genplan, pa emër projektuesi e ndërtuesi.
– Me Urdhër Nr. 5702, datë 21.11.2012 të IKMT, është bërë bllokimi i pallatit, me masën për ç’regjistrim nga hipoteka.
– Ekspertimi i markës së betonit, i blerë te firma “3 D shpk” e Vangjush Dakos, rezultoi se ishte me përbërje cilësi e dobët.
– Mbi katin e 6-të shtesë me letra false, ishte shtuar dhe 1 kat tjetër shtesë pa leje, me strukturë hekur-tullë-beton, ndërtuar nga drejtori i Mjedisit, Edison Konomi dhe vëllai tij Leonard Konomi.
– Është thelluar themeli i pallatit, duke hequr dhe 4 kolonat e trarët kryesorë mbajtës, për të bërë bodrum Bar-Kafe-Disko “Ice Club”, ndërsa në pjesën anësore është shtuar strukturë për objekt “Fabrikë akulli”, ndërtuar po pa leje nga drejtori Edison Konomi e vëllai tij.
– Nuk janë ndërtuar 30% e kolonave të brendëshme mbajtëse vertikale e horizontale të pallatit.
Çfarë ndodhi, me autorët e këtij krimi ndërtimor që vrau 7 njerëz?
Katër oficerët e policisë Gjyqësore-Durrës, kishin vendosur që Perikli Konomi, Leonard Konomi e drejtori Edison Konomi, të merreshin të pandehur, për veprat penale “Vrasje”, “Ndërtim i paligjshëm” “Mashtrim”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Shkatërrim i pronës së tjetrit”, d.m.th. apartamentet e banorëve që ua shitën, 7 prej cilëve u vranë.
Ndërsa ish-drejtori i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme-Durrës, Bedri Luku, akuzohej për “Shpërdorim detyre”, mbasi kishte regjistruar pallatin “Konomi” me dokumente false dhe kishte hipotekuar shitjet e apartamenteve.
Mirëpo, prokurorët i hoqën “Konomët” nga dosja hetimore dhe pushuan çështjen, me arsyetimin se përgjegjës nuk janë Perikli, Leonard e Edison Konomi që ndërtuan pa leje e me letra false, por një inxhiner që ka vdekur; ndërsa drejtori i Hiptekës, shpëtoi ngaqë vepra penale kishtë kaluar 10 vite. Kaq sot, për këtë skandal.
NË VIJIM:
– Do publikojmë prova, nga zullumet me lejet mjedisore që jep drejtori Edison Konomi për krime mbi parqet, zonat e mbrojtura, shtretërit e lumenjve e deri fabrika sallami, punishte druri e ofiçina brenda pallateve.
– Do publikojmë dokumente, që provojnë se përse në gusht 2014, SHISH, Policia Durrës dhe Europol e vetë Rama, i kërkuan Elisa Spirapalit, largimin urgjent të Edison Konomit, nga detyra Drejtor Dogane i Durrësit, ku drejtor “de facto” ishte i vëllai dhe 3 “të fortë” ortakë të tij…