Kompania e bosit të kokainës ‘Leka 2007’ tender me paracaktim nga kryebashkiaku i trafiqeve Artur Bushi, 60 kontrata në bashki dhe shëndetësi
Kompania me ish-pronar kapon e drogës Parlind Selaj merr tendera pa garë nga kryebashkiakët e Edi Ramës, prokuroria i bllokoi hotele, vila, restorante, lokale dhe 9 makina luksoze të krijuara me paratë e kokainës, Selaj i dhuroi aksionet e kompanisë Gjergj Lekës për t’i shpëtuar nga sekuestrimi.
Në një kohë kur SPAK ka thirrur Petro Koçin për të dëshmuar mbi bosët e drogës që pastrojnë paratë e krimit me tenderat dhe lejet e ndërtimit që marrin nga kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi, një tjetër kompani me ish-pronarë kapot ndërkombëtarë të kokainës po bën kërdinë me tendera.
Bëhet fjalë për kompaninë e pastrimit ‘Leka – 2007’, e cila kohët e fundit ka arritur të marrë mbi 60 tendera në bashki dhe shëndetësi, në mënyrë klienteliste dhe me procedura korruptive. Çuditërisht tenderin e fundit, pa konkurrencë dhe me pazar paraprak në tavolinë, kompania ‘Leka 2007’ e ka marrë disa ditë më parë nga Bashkia e Krujës, për shërbimin e pastrimit të qytetit për 12 muaj. Bashkia e Krujës drejtohet nga Artur Bushi, i akuzuar për trafik droge në Itali.
Nuk dihet nëse Bushi dhe pronari i përparshëm i kompanisë kanë ‘punuar’ bashkë në Itali me ‘pluhurin e bardhë’, por ‘Leka – 2007’ njihet sipas dosjeve si një kompani e njerëzve të kokainës dhe prostitucionit.
Kompania ‘Leka – 2007’ është krijuar në vitin 2007 në Lezhë nga Luigj Leka, me objekt tregtim të produkteve ushqimore. Në vitin 2016 futet në lojë Parlind Selaj, i cili i blen Lekës gjysmën e kompanisë për 100 mijë lekë. Parlind Selaj me lidhje me Lekën, është një nga bosët e kokainës në Itali, i dënuar me burg, në kërkim dhe subjekt i veprimit të ligjit anti-mafia në Shqipëri.
Pas blerjes së gjysmës së aksioneve nga bosi i drogës, ndryshoi edhe objekti i kompanisë, duke shtuar hoteleri, turizëm, hapje agjenci turistike, agjensi imobilare, transport të mallrave dhe pasagjerëve brenda dhe jashtë vendit, tregtim automjetesh etj. Objekti i shtuar përputhej me aktivitetin e Selajt për trafikun e dorgërave të forta.
Në 2017, ndryshoi sërish objekti i kompanisë, duke përfshirë asgjësim dhe riciklim mbetjesh, një fushë kjo e parapëlqyer nga trafikantët, për të pastruar paratë e pista. Më vonë, kur autoritetet italiane po u bënin presion autoriteteve shqiptare për të goditur Parlind Selajn dhe grupin e tij të drogës, Selaj ia dhuron aksionet Luigj Lekës. Tre javë pasi prokuroria i dha goditjen Selajt në shkurt të vitit 2018, baroni i drogës i fali aksionet Lekës. Lëvizja ishte thjeshtë formale dhe për t’i shpëtuar sekuestrimit, pasi vetëm tre javë para lëvizjes, ishin sekuestruar 15 pasuri me vlerë 1.5 milionë euro të tre vëllezërve Selaj në Lezhë, si hotel, bar, restorant, katër vila dhe apartamente banimi, 4 parcela tokë arë, me sipërfaqe totale rreth 22900 m2 dhe 9 makina luksoze.
Njëri nga vëllezërit, Valentin Selaj, u arrestua nga policia e Firences në Itali si drejtues i një grupi kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike, kokainë nga Amerika në Itali dhe shfrytëzim prostitucioni.
Vëllai tjetër, Parlind Selaj, edhe ky i dënuar në Itali për trafik kokaine, po strehohej në Shqipëri, duke investuar paratë e pista në pasuri të paluajtshme dhe pastruar para me tendera. Sot ka dyshime të forta se kompania ka pasur dhe ka aktualisht pronar real bosin e kokainës, Parlind Selaj, ndërsa miku i tij Gjergj Leka, është thjeshtë një maskë…..