KLSH ‘shuplakë’ Ministrisë së Shëndetësisë: Menaxhimi i pandemisë jo efektiv, kapacitetet spitalore dhe fondet të pakëta
Këshilli i Lartë Shqiptar ka publikuar ditën e sotme auditimin e kryer në lidhje me institucionin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe menaxhimit të pandemisë. KLSH kritikon ministrinë dhe qeverinë për mënyrën se si është menaxhuar pandemia e Covid në vendin tonë, pasi sipas auditimit të tyre problematikat janë të shumta. Ndër to përmenden: kapacitetet spitalore rajonale të pamjaftueshme për trajtimin e rasteve me COVID-19, funksionimin joeficient të qendrave shëndetësore të njësive të vendore të kujdesit shëndetësor, kapacitete profesionale të specialistëve të sëmundjeve infektive në kujdesin shëndetësor parësor shumë të kufizuar, fonde financiare të pamjaftueshme, mangësi në stokun e materialeve të mbrojtjes personale (MMP-ve), pamjaftueshmëri në trajnimet e stafit mjekësor, pasiguri në vendin e punës, etj.
Përballë një virusi të panjohur, shoqëruar me humbje jete të njerëzve, menaxhimi i situatës nga sistemi ynë shëndetësor, nuk ishte shumë efektiv. Politikat e ndjekura nga MSHMS dhe institucionet shëndetësore publike dhe jopublike nuk realizuan ofrimin e shërbimit shëndetësor si një e mirë publike, qëllim i ekzistencës dhe politikave të tyre, për të rritur cilësinë e jetës së qytetarëve. Në kushtet kur Shqipëria sot, referuar standardeve evropiane, përballet me sfidën e mbulesës së kujdesit shëndetësor universal në shëndetësi, nevojitet që, politikat shtetërore të realizojnë parimet e një të mire publike në shërbim të rritjes së cilësisë së jetës së qytetarëve drejt integrimit evropian.
Mbi këtë konstatim, KLSH i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë të rishikojë akreditimet për laboratorë privatë COVID.
Mungesa e një urdhri administrativ nga MSHMS për ofrimin falas/ rimbursim të vizitave dhe mjekimeve në institucionet jopublike për COVID-19, tregojnë një efektivitet jo të lartë të politikave shëndetësore në menaxhimin e situatës.