-Kaos, kundërthënie dhe gënjeshtra rreth refugjatëve afganë…
Ende sot që kanë kaluar disa ditë nga e diela, kur kryeministri shpalli publikisht se Shqipëria kishte pranuar të priste refugjatë afganë, askush nuk është në gjendje të thotë se sa prej tyre do të vijnë, sa kohë do të qëndrojnë dhe a ka të tillë që do të mbeten përfundimisht tek ne. Një valë kaosi, kakofonie dhe kundërthëniesh janë vënë re në deklaratat e ndryshme të zyrtarëve dhe diplomatëve.
Ndonëse Edi Rama postoi një status ku nënvizonte se nuk qe vetëm kërkesa e SHBA, por dhe vullneti i tij për të mikpritur të përndjekurit nga talebanët, ky version është pak i besueshëm.
Po të krahasohet p.sh me një shtet si Kanadaja që u tergua që në fillim i gatshëm që të hapte portat, ndryshimi është shumë i madh. Qeveria kanadeze tha që në fillim se do të priste 20 mijë afganë sepse kaq kishte kapacitet të akomodonte.
Ndërsa Tirana zyrtare kur ka thënë “OK” nuk është nisur nga mundësia reale e pritjes, por nga dëshira për të mos i thënë jo Uashingtonit. Prandaj nuk dihet asnjë e dhënë tjetër veç po-së në parim dhe vullnetit për të hapur dyert. Mbi të gjitha këtë e vërtetojnë deklaratat kontradiktore që janë bëtë këto ditë.
Fillimisht ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, përmes një postimi në “Twitter” tha se Shqipëria është e gatshme të presë qindra afganë, pa përcaktuar se nga nisej për këtë shifër.
Teksa shpërndau një postim të sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken, Xhaçka deklaroi: “Shqipëria është e gatshme të presë qindra afganë, jeta e të cilëve kërcënohet nga përkeqësimi i situatës së sigurisë. Ne qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë”, th ajo.
Ndërsa një ditë më pas, të martën, ambasadoria amerikane Yuri Kim foli për për valë të ndryshme prurjesh pa një numër të saktë.”Nuk kemi një numër të saktë të afganëve që do zbarkojnë këtu se ndryshon nga momenti në moment, por afganët do të vijnë këtu herë pas here në varësi të linjave ajrore të SHBA”, tha ajo pas një takimi në ministri të jashtme.
Po të martën është prononcuar edhe ministri i mbrojtjes Niko Peleshi, i cili e la të hapur rritjen e numrit: “Do të presim sa kemi mundësi” tha ai pa e preciziar se sa ishte ajo.
Deri tani burime mediatike jo zyrtare kanë folur për 3 mijë afganë që do të ndahen mes Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, ndërkohë që numri i atyre që Amerika duhet të evakuojë llogaritet në 80-90 mijë.
Por përpos erësirës totale për numrin e atyre që do të presë Shqipëria mister mbetet edhe kohëzgjatja e qëndrimit në vend. Në të njëjtën deklaratë të cituar edhe më lart ambasadorja amerikane theksoi se ata do të jenë tranzit në Shqipëri, pasi qëllimi është të zhvendosen drejt Amerikës. “Ata do të vijnë përkohësisht me idenë për t’u zhvendosur në SHBA. Disa madje po lëvizin drejtpërdrejt në SHBA, është thjesht çështje procesi. Janë mijëra aktualisht në SHBA. Nuk kemi numra dhe shifra të sakta akoma, por jam e sigurt se do të jenë publike në ditën e ardhshme” tha ajo.
Pra, ideja e përhapur gjerësisht është se ata do të vijnë në Shqipëri e cila do të shërbejë si vend filtrimi për të kuptuar se cilët janë të sigurtë për të marrë vizën drejt Amerikës.
Po të tjerët?
Një version me sa duket të porositur për të testuar opinionin e ka dhënë kryebashkiaku Veliaj. Dhe si gjithmonë, në stilin e tij. ai nuk ka mundur ta zhveshë lajmin nga mbështjellja me gënjeshtra. Sipas Veliajt nuk do të jetë çudi që një pjesë e afganëve, ata më të mirët dhe më të zotët, të mbeten përgjithmonë për të punuar dhe jetuar në një qytet kozmopolit si Tirana. Pra sipas Lal pelivanit, ShBA po i filtron këtu afganët për të marrë më të pazotët vetë e për të na lënë ne më shkëlqyerit.
Pra është e qartë se në këtë lojë gënjeshtrash, pasaktësisht dhe kakofonie askush nuk di asgjë. Shqipëria ka nënshkruar vetëm një “po” mbi një letër të bardhë. Dhe nuk do shumë mend të kuptohet se para se të jetë një gjest sovran dhe bujar, ky është një akt servil vetëm për t’u bindur hiperfuqisë.