Qeveria e re do të shpallet javën e ardhshme. Mesazhi i Ramës për ministrat!
Qeveria e re do të shpallet javën e ardhshme. Këtë e njoftoi sot kryeministri Edi Rama në fjalën përmbyllëse të mandatit të dytë. Ai e cilësoi skuadrën e tij kampione, ndërsa paralajmëroi se formacioni i ri do të jetë me shumë emra që janë në stola rezervë.
“Qeveria e re do të shpallet javën e ardhshme dhe ju normalisht do të vijoni punën deri në minutën e kalimit të detyrës pa lënë asnjë minutë të shkojë kot. Fatmirësisht kemi një skuadër kampione ku ka shumë zgjedhje për çdo rol dhe kampionati 4-vjeçar që ka nisur të nesërmen e zgjedhjeve të fundit kërkon një kryesi efektive dhe një stol rezervash për të pasur mundësi për energjizimin e skuadrës. Ky është avantazhi jonë përballë kundërshtarëve. Ju falënderoj për këtë kohë sfiduese që kaluam së bashku që dua ta mbani parasysh edhe nëse nuk do jeni në mbledhjen e parë të qeverisë së re”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama mbajti sot fjalën përmbyllëse të mandatit të dytë. Ai u shpreh krenar për punën e qeverisë së tij, ndërsa shtoi se ishte një mandat tejet i vështirë. Kryeministri Edi Rama tha se në sektorin e bujqësisë është bërë përparim i madh ku tani Shqipëria ka 3-fishuar eksportet, ndërsa në 2030 shpreson se Shqipëria do të jetë e para në rajon për eksportet bujqësore. Kthimi i të rinjve në atdhe dhe digjitalizimi i shërbimeve për t’i dhënë fund korrupsionit në administratë, do të jenë dy nga objektivat e qeverisë së ardhshme 3.