Ish-deputetja për abuzimet seksuale: Nga rastet që kam patur ajo që i prekte më shumë prindërit ishte paragjykimi
Psikologia njëherësh ish-deputetja e PD, Orjola Pampuri ka folur për abuzimet seksuale, dhe se si duhet të reagojmë dhe përse është e rëndësishme që të komunikojmë me fëmijët.
Fëmijët janë shumë të ndjeshëm prandaj duhet patur kujdes komunikimi me to thotë ish-deputetja. Por e ftuar në Abc-ja e mëngjesit shton se nga rastet që ajo ka trajtuar, gjëja që i prekte më shumë prindërit ishte paragjykimi.
“Komunikimi është shumë i rëndësishëm, por duhet të tregohet kujdes edhe për ndryshimet e sjelljeve që fëmija pëson. Fëmijët janë shumë të ndjeshëm. Të gjitha reagimet duhet të bëhen në një formë alerte. Në vendin tonë ka një handikap shumë të madh, pasi një psikolog duhet të jetë përgjegjës për tre shkolla dhe kjo është e vështirë.
Një rol të rëndësishëm luan edhe mësuesi, i cili herë pas here merr rolin e një psikologu. Ajo që është e dhimbshme, në rastet që unë kam pasur ajo që i prekte më shumë prindërit ishte paragjykimi, dhe për këtë arsye, ne nëpërmjet fushatave duhet të nxisim më shumë mbështetje. Sistemet e referimit duhet të jenë më të forta, sistemet mbështetëse duhet të jenë më të sigurta. Pasi mund të referohet rasti, por personi në fjalë mund të ndjehet i pambrojtur dhe kjo sjell edhe frikën për të reaguar”, tha Pampuri.