Intervistë me z.Klajd Marku
Në kohë krizash shoqërore e ekonomike, në kohë fatkeqësish natyrore apo në kohë pandemie ka një prirje të flitet pak për art dhe kulturë megjithatë duhet të kujtojmë se ato janë pjesë e pandarë e njeriut dhe bashkëshoqëruese në jetën tonë. Në një intervistë të sinqertë, Klajdi Marku, aktor, regjisor dhe njëkohësisht përgjegjës i Teatrit “Bylis” në qytetin e Fierit rrëfen për veprimtarinë e institucionit ku jep kontributin e vet prej vitesh.
Si ka vijuar dhe si ka qenë aktiviteti i Teatrit Bylis në këto kohë pandemie
Po, aktualishtt ashtu si edhe kolegë të tjerë që kanë dëshirë për punë edhe ne e kemi zhvendosur punën tonë në internet dhe në rrjetet sociale. Në ëebsite-in Teatri Bylis Fier ne kemi qenë aktiv duke hedhur materiale. E kam fjalën, për materiale të filmuara, komedi dhe drama të realizuara ndër vite, në skenën e Teatrit “Bylis”. Kryesisht, janë materiale të realizuara pas viteve ’90, por edhe ndonjë material i para viteve ’90 kur ka qënë i mundur që të filmohej. Duhet thënë se mjaft materiale nuk kanë qënë të filmuara, por ne po punojmë me ato që kemi mundësi.
Ndërkohë, paralelisht, me iniciativën e Kryetarit të Bashkisë Qëndra e Artit dhe e Kulturës nisi të organizojë një event për të rinj “Best talent”, ku të rinj të grupmoshës 10-18 vjeç kanë pasur mundësi të shprehin talentin e yre në disa disiplina, si në balet, këngë, instrument muzikor etj. Në funksion të kësaj nisme ishte dhe një juri e përbërë nga profesionistë si Kastriot Tusha, Kazeta Bakiu, Milto Kutali, të cilët kanë ndihmuar në vlerësimin e pjesëmarrësve dhe dhënien e çmimeve. I gjithë ky organizim është prezantuar life në faqen e teatrit ” Bylis” Fier si dhe ne ëebsite e Bashkisë Fier. Them se, kemi bërë më të mirën në kushtet kur spektatori nuk mund të jetë prezent në sallën e teatrit, për shkak të pandemisë.
Nga kjo përvojë e re kam zbuluar se ka patur mjaft ndjekës on-line të shfaqjeve dhe të aktiviteteve sesa në teatër. Mendoj se këto shaqje on-line janë ndjekur nga 4-5 mijë shikues që nuk është pak.
Sa ka ndikuar fakti që teatri Bylis po i nënnshtrohet një rikonstruksioni të plotë?
Kjo që sapo thatë do të duket kur teatri të përfundojë e të punojë normalisht, pasi tani jemi në kohë kufizimesh të shkaktuara nga pandemia. Megjithatë, “Best Talent” i xhiruar brenda teatrit ku pjesa më e madhe e punimeve kanë përfunduar tregon se, rikonstruksioni ka nisur të japë impaktin e vet me risitë që ai ofron.
A jeni në dijeni, se cilat risi sjell restaurimi i teatrit dhe a dini ndonjë afat përfundimtar se kur mund të jetë gati plotësisht?
Dëgjo, afatet nuk i di, por të jem i sinqertë kam dëgjuar se mund të jetë gati në muajt Shtator-Tetor, sipas një bisede me drejtues të bashkisë. Për sa i përket risive, dua të them se, ka shumë risi. E para, është bërë një ekran i madh tredimensional në skenë, që ndihmoin shumë me skenografine e çdo lloj disipline artistike. Ndriçimi është bërë LED, i komanduar edhe me robot. Kjo krahas cilësisë sjell dhe një farë kursimi energjie, pra është ekonomik. Bokset janë teknologjia e fundit. Është investuar shumë në sistemin e ngrohjes dhe ftohjes, ku krahas aktorëve edhe publiku do të mund ta ndjekë një shafaqje me komoditetet e kohës. Kuptohet, që është bërë një ndërhyrje thelbësore për stolat, si edhe për skenën, këto janë më kryesoret.
Nga sa aktorë përbëhet aktualisht trupa e teatrit Bylis?
Aktualisht kemi 4 aktorë, Unë në cilësinë e aktorit, regjizorit dhe përgjegjësit të trupës dhe tre aktorë kolegë të tjerë. Kuptohet që është edhe prapavija.
Mendoni se ajo çfare u bë me infrastrukturën e teatrit duhet të zgjerohet tani me burime njerëzore?
Po në fakt ne kemi bërë një bisedë me kryebashkiakun, që në momentin që do të mbarojë rikonstruksioni, kur teatri të hapë dyert, na është kërkuar të bëjmë një listë me artistë të rinj, për ta pasuruar trupën e teatrit, aktorë regjizorë. Sigurisht, të gjithë ata që do të vijnë do të kalojnë në një filtër për të parë dhe cilësitë e tyre artistike.
Shpesh flitet se në teatër mungojnë spektatorët; kuptohet, nuk është diçka lokale që u përket vetëm juve apo teatrit ku punoni. Çmendim keni?
Është e vërtetë, çështja e spektatorit nuk është çështja as e Fierit as e Shqipërisë, është një çështje e përbotshme. Teatri është në një krizë spektatori në të gjithë botën. Pse e them këtë? E them se, si dejtues i një festivali që drejtova për 15 vjet me radhë, kisha mundësinë të isha në kontakt me kolegë nga vendë të ndryshme të botës dhe kjo tematikë është diskutuar në mjaft takime artistësh, pa mundur të marrë një përgjigje ekzakte. Natyrisht, i shqetëson të gjithë artistët.
A ka ndonjë ndikim zhvillimi i rrjeteve sociale dhe i artit online?
Personalisht mendoj se ka disa arsye. Edhe pyetja juaj është një nga arsyet. Teatri është i goditur nga teknologjia, sepse është një emocion që përcillet direkt nga aktorët tek publiku dhe nuk e pranon celuloidin, duke krijuar një distancim midis ndjekjes së publikut dhe vetë skenës së teatrit. Kjo sepse, siç thame, teatri e përcjell emocionin direkt. Diçka tjetër, më thoshte dikur profesori im Pirro Mani, në një bisedë të përbashkët, “ Kur mbarova shkollën në Rusi, profesori më tha, Pirro harro çfarë ke bërë këtu, shko në Shqipëri dhe bëjë artin që të kërkon populli yt.” Mbase kjo filozofi, i përkiste atij sistemi, apo mbase duhet të ketë e dhe vijimësi, e them këtë , sepse ne rrendim drejt disa rrymave teatrale për disa arsye. E para, për para. E dyta, për hobi. Problemi është a i shkon trupës kjo gjë, a i shkon mentalitetit të publikut, ku ti po e vë? Dhe fatkeqësisht ka qëlluar që publiku del edhe nga salla. Por gjithsesi gjërat janë komplekse, duhet të vije pjekuria artistike për trupën, duket të vijë pjekuri estetiko-artistiko për publikun. Jonesko e shpiku absurdin , por ndoshta në shoqëritë ku ai u shfaq, publiku mund ta kuptonte atë siç duhej. Mbase kishte erdhur momenit për ta shijuar një gjë të tillë. Megjitatë, përsonalisht besoj se, teatri klasik nuk vdes.
Si aktor dhe regjizor mendoni se ka mjaft tema të shoqërisë shqiptare që duhet të jenë objekt skenaresh për të hipur më pas në skenën e teatrit?
Kjo ka lidhje me atë që sapo thanë më sipër. Sigurisht, që ka tema . Dalim tek ajo se duhet që çdokush të bëjë artin e popullit të tij. Sepse publiku do të shikojë jetën e tij me arritjet e sfidat e përditshme. Se gjërat e huaja nuk lenë gjurmë tek publiku, ai nuk i përjeton nuk i dhëmbin.
Sa mund të ndikoje Pushteti Vendor tek performance e një trupe teatri?
Teatrot e rretheve varen nga bashkia, si rrjedhojë janë të lidhura direkt buxhetet e tyre me bashkitë . Puna e trupës së teatrit varet nga prioriteti që një kryetar bashkie dhe stafi i tij i japin. Meqenë se po flasim për Fierin, unë mendoj se, kryebashkiaku është treguar i vëmendshëm ndaj nevojave të teatrit. Personalisht, më është dukur racional, sepse e shikon teatrin si një djep kulture, deri diku edhe elitar, sepse teatri është elitar, por edhe një vend edukimi. Si rrjedhojë e këndvështrimit që ka, ai e shprehu këtë me rritjen e pagave për aktorët dhe stafin e teatrit si dhe përmes rikostruksionit të objektit. Këto nuk janë elozhe. Dikur aktorët paguheshin më pak se sanitaret e bashkisë, tani kjo ka ndryshuar. Ky nuk është fresk këto janë fakte.
Nëse në Fier do të funksiononte një teater privat, do të ishte kjo një konkurrence për profesionistët e teatrit “Bylis”
Unë mendoj se do të dështonte, siç kanë dështuar në Shqipëri teatrot e tjera private.
Pse kjo?
Kuptohet që do të merrnin profesionistë e do të funksionojë nëpërmjet kontratave e parasë. Kjo sipërmarrje nuk do të ishte efiçente, ky është mendimi im. Në sisitemin e kaluar, bëhej art, pa ndonjë para të madhe, por i interesonte sistemit ta ngrinte artin ndoshta për qëllimet e veta. Sot në këtë kohë, është paraja, teatri s’ka para, pra lërë të vdesë, pra një sipërmarrje e dështuar private. Nuk ka fitime.
Çfarë e motivon artistin e skenës së teatrit paraja, fama , pasioni?
Fillisht kur mbaron shkollën je pjesë e pasionit, kur je pjesë e pasionit dhe koha fillon të kalojë, ti fillon të mëndosh bashkë me pasionin për karierën. Varet nga kërkesa e çdo individi ndaj vetes. Në rast se i kërkon ka oreks që të hyje tek “vipat”, atëherë do të luftojë për të qënë pjesë e një elite. Në rast se nuk e ka këtë dëshirë të zjarrtë ,atëherë me gjasa, ai do të vdesë artistikisht në provincë. Faza e tretë është kur mendon edhe për paranë, por kjo nuk varet vetëm nga ty. Ka e një fazë të katërt që fillon të mendosh për pensionin. Kjo për humor.
Cili është aktiviteti apo shfaqja më e afërt e trupës së teatrit “Bylis”? E kam fjalën për ndonjë vepër klasike ose ndonjë dramë?
Kam një dëshirë, por kjo varet edhe nga fondet, dua që një vepër të cilën e kam vënë para dy vitesh në teatër e titulluar “Emigrantët” e autorit polak Brozhek. Një vepër e ftuar në disa festivale brenda e jashtë vendit në Elbasan në Itali, me dy aktorë mjaft të mirë si Astrit Hasani dhe Fatmir Xhelili. Një shafaqje që është pritur shumë mirë. Dua ta rikthej këtë shfaqjepor jo në teatër, sepse është pandemia, por dua ta rikthej në një formë dhe këndvështrim tjetër nëpër fshatra, në lokalitete. Dëshira ime është ta zhvendos shfaqjen në një mjedis real, në një stallë apo haur fshati, kuptohet ku të ketë mundësi të ndiqet nga publiku në distancë, pasi mendoj se një mjedis dhe skenografi e tillë i shkon përshat veprës. Sepse sjell më afër realitetin e përjetuar nga emigrantët.
Në momentin që teatri do të fillojë funksionin normalisht, mendoj të bëjmë një vepër të madhe, që shpresoj ta bëj realitet. Bëhët fjalë për një vepër të autorit tonë Ismail Kadare “Legjenda e Murimit” po që kam dëshirë të kombinoj dhe të kemi një bashkëpunim midis aktorëve të trupave të ndryshme, trupa jonë, një teatër grek dhe një teatër rumun ose nga Mali i Zi. Dua të bëj një triptik vitin tjetër. Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi, kuptohet kur trupa jonë të jetë plotësuar edhe me aktorët e rinj. Këto janë ambicjet e mia si përgjegjës i institucionit.
Një qytet si Fieri është zmadhuar, por në disa rrethe shoqërore në qytet, flitet se në Fier punohet, ka lekë, por nuk ka shumë zbavitje. Jeni dakort me këtë përkufizim?
Teatri është edukim nëpërmjet zbavitjes. Nuk jam dakort me këtë , mendoj se qyteti ka aktivitetin e vet kulturor, zbavitës. I ka këto mundësi nëse dikush dëshiron të bëhet pjesë e tyre. Më duket më shumë si një thashethem, kjo sa më thatë.
Me çfarë note do ta vlerësonit zbavitjen duke nisur nga 1-10?
Nuk mund të vendos një notë se do të ishte subjektive dhe relative, por mendoj se Drejtoria e Artit dhe Kulturës, pranë Bashkisë, organizon mjaft aktivitete argëtuese dhe festive masive, sidomos gjatë verës. Aktivitete të ndryshme në qendër të qytetit, me këngëtarë, aktorë etj. Këto evente shumë herë zhvillohen në mjedis publik, ato ndiqen pa kosto nga qytetarët. Po ashtu edhe Qendra Kulturore e Fëmijëve është shumë aktive me veprimtaritë e saj. Por e mira nuk ka fund. Mendoj se nuk duhet të gjykojmë vetëm duke marrë përbazë këto muaj ku situata është pak konfuze për shkak të pandemisë.
Megjithatë, dua ta mbyll me një fjali. Dua të di çfarë kërkon publiku?!
Faleminderit për kohën tuaj dhe intervistën!