Në muajin maj ka vijuar tendenca e thellë rënëse e eksporteve, por gjithsesi ritmet e tkurrjes janë ngadalësuar në raport me prillin, që ishte dhe muaji më i vështirë për eksportuesit, që vuajtën sidomos mbylljen e Italisë.
INSTAT raportoi se në Maj 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 21 mld lekë, duke u ulur me 22,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në prill tkurrja vjetore ishte 44%.
Të gjitha grupet kanë vijuar tendencën rënëse, me përjashtim të “Ushqime pije dhe duhan”, por më e thellë tkurrja ishte për “tekstile dhe këpucë” dhe “minerale, lëndë djegëse dhe energji”. Sipas INSTAT, rënia vjetore e eksporteve prej 22,7 %, këtë muaj është ndikuar nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -8,6 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -8,0 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -5,4 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Ushqim, pije, duhan” me +2,6 pikë përqindje.
Ndërsa për 5 mujorin, Eksportet, janë ulur me 19,4 %, krahasuar me një vit më parë, si rrjedhojë e ecurisë negative që nga mesi i muajit mars, kur u përhap pandemia e Covid-19. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Tekstile dhe këpucë” me -10,1 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -5,1 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,4 pikë përqindje.
Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Ushqim, pije, duhan” me +0,4 pikë përqindje dhe “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me +0,2 pikë përqindje.
Tekstilet i kthehen prodhimit të maskave
Eksportet e tektile dhe këpucë, që janë grupi kryeso i eksportuar në vend, ranë me 21% në maj me bazë vjetore, pas një tkurrjeje prej 52% në prill. Por, operatorët nuk janë shumë optimistë, sidomos ata të këpcëve. Disa nga prodhuesit e tekstileve po tentojnë të kalojnë në prodhimin e maskave.
Gjergj Liqejza përfaqësues i kompanisë Madish, që prodhon veshje të brendshme thotë për “Monitor” se eksportet e kompanisë në muajin Maj ranë ndjeshëm në krahasim me muajin Maj 2019. “Eksportet te veshjet e brendshme shënuan 60% rënie për muajin Maj, për shkak të varësisë 100% nga tregu italian. Ndërsa te eksportet e uniformave ushtarake dhe veshjeve për punë sasia ishte në të njëjtat nivele si një vit më parë, nuk pati rënie.”
Zoti Liqejza parashikon se eksportit për muajin qershor do të shënojnë rritje, çka tendenca është reflektuar në fillim të muajit. “Pretendojmë rritje të lehtë të eksporteve krahasuar me vitin 2019, pasi javën e kaluar partneri ynë ka marrë licencën për prodhimin e maskave që do të tregtohen për tregun italian. Pra këto maska do të prodhohen nga kompania jonë, çka pritet të ndikojë pozitivisht në te eksportet e veshjeve”. Sipas tij kompania Madish në periudhën e karantinës nuk ka ndërprerë punën. Për prodhimin e veshjeve të brendshme është punuar me 40% të kapacitetit total prodhues, ndërsa për veshjet ushtarake është punuar me kapacitet të plotë.
Më e vështirë ka qenë situata për prodhuesit e këpucëve. Donika Mici, adminstratore e Donianna, një prej më të mëdhave në vend, thotë se eksportet në maj ranë me 70%. Ajo thotë se kompanitë janë në pritje të kërkesën nga vendet e Europës, por nuk është aspak optimiste për të ardhmen, ndërsa numri i punonjësve është përgjysmuar.
Mineralet, lëndët djegëse, Bankers rifillon eksportin
Eksportet e Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike vijuan tendencën e fortë rënëse, duke u tkurrur me 48%. Eksportuesi kryesor i këtij grupi, Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës, ka rifilluar eksportet vetëm në fund të muajit maj, sipas burimeve nga kompania dhe në javën e fundit u realizua eksporti i parë pas mbylljes. Kompania në mes të muajit prill ndërpreu prodhimin për rreth një muaj për herë të parë në histori, që nga viti 1957, kur ka filluar nxjerrja e naftës në atë zonë. Ndalimi i aktivitetit ishte i lidhur me rënien e çmimeve të naftës në bursa, por edhe me faktin që CEPSA, kompania me seli në Spanjë, ku Bankers eksporton, nuk tërheq më prodhimin nga Shqipëria. Burime nga kompania thanë se prodhimi gjithsesi nuk është rikthyer në nivelet e parakrizës pasi, për shkak të ndalimit të nxjerrjes së naftës dhe efektit që kjo ka pasur në shtresat e tokës, duhet pak kohë që aktiviteti të rikuperohet.
Bankers po e shet prodhimin kryesisht në Spanjë, dhe një pjesë të vogël te Al Global Oil, që përpunon bitum, ndërsa nuk ka filluar ende që të furnizojë rafinerinë e naftës ARMO.
Materiale ndërtimi dhe metale në tkurrje
Eksportet e “Materiale ndërtimi dhe metale” shënuan rënie prej 34% në maj. Burime nga Kurum, eksportuesi më i madh i këtij grupi, thanë se kërkesa e eksporteve pësoi rënie totale, dhe kompania më maj kishte 30% të shitjeve që duhet të kishim në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në të tre vendet ku kompania eksporton, në Maqedoni, Kosovë dhe Mali i Zi, në 3 javët e fundit kërkesa ka rënë në mënyrë drastike, çka ka ndikuar edhe te veprimtaria e kompanisë. Situata parashikohet e vështirë deri në fund të vitit, ndërsa për vitin 2021 pritet përmirësim.
Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi në rënie
Grupi i “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, që vitin e kaluar ishte me rritje dy shifrore për shkak të zgjerimit të investimeve në montimin e pjesëve elektrike të industrisë automotike, shënoi rënie prej 14% në maj. Burime nga kompanitë thanë ka rifilluar aktiviteti, ndonëse me kapacitet te reduktuar.
Ushqime pije e duhan sektori që nuk do t’ia dijë për krizën
Më i paprekur nga situata e Covid është sektori i ushqimeve. Eksportet e këtij grupi u rritën me rreth 19% në muajin maj, teksa aktiviteti në sera dhe bujqësi vijoi normalisht. Që me fillimin e krizës, ky grup ka kaluar si eksportuesi i dytë më i madh në vend, duke ia kaluar mineraleve e metaleve.
Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere
Sipas INSTAT, Në muajin Maj 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Maj 2019 janë: Gjermania (11,9 %), Serbia (39,9 %), dhe Franca (157,1 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-29,8 %), Kosova (-39,2 %) dhe Greqia (-31,0 %).
Gjatë këtij pesëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Gjermania (16,6 %), Serbia (11,8 %), dhe Franca (26,9 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-26,6 %), Kosova (-34,3 %) dhe Spanja (-6,5 %).
Në muajin Maj 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Maj 2019 janë: Rusia (+87,0 %), Ukraina (+666,0 %), dhe Hollanda (+29,3 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-21,8 %), Greqia (-18,8 %) dhe Kina (-29,5 %).
Gjatë këtij pesëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Rusia (50,8 %), Hollanda (0,2 %) dhe Ukraina (82,0 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-23,1 %), Greqia (-11,8 %) dhe Turqia (-13,8 %). Perg:Dd Vm