Gjykata e Lartë kalon për gjykim dosjen penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-drejtorit të policisë së Vlorës Jaeld Çela. Pak kohë pasi Tahiri e Çela bënë rikurs pasi Gjykata e Apelit ktheu çështjen, është marrë vendimi nga Gjykata e Lartë.
Vendimi është marrë në dhomën e këshillimit dhe është bërë publik pasditen e sotme. Që të gjykohet një çështje duhet që Gjykata e Lartë të ketë të paktën pesë anëtarë, por aktualisht ka tre, kështu që nuk dihet ende se kur do të nisë proçesi gjyqësor.
Në gusht të këtij viti, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dërgoi vendimin e Apelit të Gjykatës së Posaçme për rekurs në Gjykatën e Lartë, bashkë me ish-kreun e Policisë së Vlorës.
Ky rekurs erdhi pasi Apeli i GJKKO-së rrëzoi dënimin nga shkalla e parë për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Dënimi iu rrëzua dhe ish-ministri sërish do të përballet me statusin e të pandehurit. Saimir Tahiri u dënua me 5 vite burg, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul me 1/3 dhe u caktua 3 vite e 4 muaj burg, që gjykata më pas e konvertoi në 3 vite shërbim prove.