Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës ka reaguar pas publikimit të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, sipas të cilit shteti shqiptar detyrohet të paguajë 44 milionë dollarë dëmshpërblim për kompaninë greke “Aktor”, për punimet në autostradën Tiranë-Durrës.
Në një deklaratë për mediat, MIE thotë se kontrata me kompaninë greke, “Aktor” është lidhur në vitin 2012 nga qeveria e Sali Berishës, dhe se duhet të hyjë në histori si shembulli, sesi nuk duhen bërë kontratat.
Më tej, MIE, akuzon se janë ish-ministrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe zyrtarët e ARRSH-së, që nuk kryen detyrën, por kanë ndryshuar kontratën sipas oreksit.
MIE, sqaroi se kompania greke “Aktor” ka paditur shtetin shqiptar në arbitrazh, për kostot shtesë në segmentin nr 3., të austradës Tiranë-Durrës, pasi pretendoi se ARRSH-ja kishte shkaktuar dëme.
MIE, e mbyll reagimin duke thënë se “Qeveria Rama ka menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë kontratë, duke pasur parasysh të gjithë historikun e lartpërmendur dhe nuk ka hezituar dhe as reshtur së denoncuari këtë aferë”.