Gjonaj raporton para Ligjeve: Prokurorët duhet ta shohin pozicionin e tyre si mision në frymën e ligjit për të luftuar kriminalitetin
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka raportuar në Komisionin e Ligjeve lidhur me veprimtarinë e Prokurorit të Përgjithshëm në zbatimin e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2019.
Gjonaj theksoi se viti 2019 ishte i rëndësishëm për rezultatet e zbatimit të reformës në drejtësi sa i përket institucionit të Prokurorisë.
Ajo nënvizoi se zgjedhja e prokurorit të përgjithshëm sipas parashikimeve të reja ligjore dhe krijimi i SPAK, ishin dy arritje shumë të rëndësishme në rezultatet e reformës.
“Tashmë që kuadri institucional është në funksion pritet një përmbushje më e mirë e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave në luftën kundër kriminalitetit, veçanërisht të atyre rekomandimeve që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Emërimi në fillim të këtij viti të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, do të ndihmojë gjithashtu në plotësimin e atij vakumu që ishte krijuar . Lufta kundër kriminalitetit nuk është prioritet vetëm i Qeverisë Shqiptare por i të gjitha institucioneve të sistemit të drejtësisë në funksion të shtetit duke përmbushur kështu jo vetëm një rekomandim në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian por edhe të misionit për shtetformimin dhe për ti ofruar qytetarëve shqiptarë sigurinë e jetës, për të siguruar rendin publik dhe atë kushtetues. Dhe duhet të jetë e tillë në një frymë sa më bashkëpunuese, sa më shumë koordinim me qëllim arritjen e qëllimit të përbashkët”, theksoi Gjonaj duke i bërë thirrje prokurorëve që ta shohin detyrën e tyre si mision.
Ministrja e Drejtësisë është ndalur edhe në një ndër prioritetet kyçe të qeverisë për vitin 2019, siç ka qenë respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të individëve të grupeve vulnerable, dhe në mënyrë të veçantë e të miturve në konflikt me ligjin.
Ashtu si edhe një vit më parë, Gjonaj kërkoi ndër të tjera ashpërsimin e politikës penale për dhunën në familje dhe krimet seksuale.
“Miratimi i Strategjisë së Drejtësisë për të Miturit shoqëruar me Planin e Veprimit 2018 – 2021 përbën dokumentin e parë të politikave të qeverisë shqiptare që përcakton shtyllat bazë të reformës së drejtësisë për të miturit e cila është përgatitur nga Ministria e Drejtësisë dhe po ndiqet me të gjithë aktorët e përfshirë. Nga të dhënat statistikore rezulton se gjykimi i drejtëpërdrejtë vijon të mbetet një nga llojet e gjykimeve më pak të kërkuara nga organi i prokurorisë. Rezulton një ulje e numrit të çështjeve për të cilat është kërkuar gjykimi i drejtpërdrejtë. Ndërkohë që për vitin 2019 një nga rekomandimet e Këshillit të Ministrave ka qënë edhe rritja e rasteve të kërkuara nga organi i prokurorisë për gjykimin e drejtëpërdrejtë”, nënvizoi Gjonaj duke shtuar se:
“Lidhur me politikën e dënimit të ndjekur gjatë gjykimit, në çështjet e dërguara për gjykim nga prokuroria për dhunën në familje nuk është kërkuar në asnjë rast dënimi maksimal i parashikuar nga paragrafi përkatës i dispozitës (në vitin 2018 është kërkuar në 12 raste); si dhe nuk konstatohet ashpërsimi i politikës penale, pavarësisht rekomandimit për ashpërsimin e politikës penale për këtë vepër. Në një kohë që dhuna në familje është një fenomen i cili duhet të ndiqet me të gjitha metodat. Padyshim ndëshkimi nuk është i vetmi mekanizëm pasi theksi dhe fokusi i të gjithë ne duhet të vendoset tek parandalimi por duhet të bëjmë më të efektshëm hetimin e këtyre çështjeve, kategorizimin sipas kësaj vepre duke mos e kosnideruar në shumë raste si plagosje apo tentativë vrasje. Vijon të mbetet i nevojshëm trajnimi i oficerëve të policisë gjyqësore, pasi nga të dhënat e paraqitura numri i pjesëmarrjes në trajnim është i ulët. Në zbatim të një sistemi tërësisht të ri penal për të miturit në kontakt me organet e drejtësisë, vlerësohet përmbushja e rekomandimeve të dhëna në lidhje me të miturit dhe për zbatimin e kuadrit ligjor për këtë kategori, përfshirë krijimin e strukturave të posaçme, nxjerrjen e akteve/ formateve të unifikuara si dhe zhvillimin e aktiviteteve trajnuese të prokurorëve të dedikuar për hetimin e këtyre veprave”, u shpreh Gjonaj.
Duke u ndalur te lufta kundër korrupsionit ajo tha se ky është një ndër prioritet kryesore mbi bazën e të cilës janë dhënë dhe rekomandimet përkatëse.
“Lufta kundër korrupsionit është një prioritet i organeve të drejtësisë ku edhe për Prokurorinë, rekomandimi i Qeverisë është përcaktuar me prioritet. Ndjekja e masave ndëshkuese për hetimin, gjykimin dhe dërgimin përpara përgjegjësisë të gjithë ata të cilët janë të përfshirë në cështje korruptive apo dhe atyre ndëshkuese është i rëndësishëm. Jo vetëm si Ministre e Drejtësisë por edhe në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion, me një përgjegjësi në nivel kombëtar për luftën kundër korrupsionit për një sërë rekomandimesh drejtuar organit të prokurorisë lidhet me masat që duhet të merren në hetimin e veprave penale të korrupsionit”, tha Gjonaj. D.D.