Sot në orën 17.00 ju pres tek Muzeu “Kadare”, në Tiranë. Prej ” shtëpisë së shpirtit” dua t’ju lexoj disa poezi të mia dhe t’ ju them diçka më tepër…. si përshembull, këtë poezi:
Dallga në ecjen vetëflijuese
( Monolog i pamundur sepse sendet nuk flasin)
Nuk më lig e trishton copëtimi im i pakthyeshëm,
As jetëza e paktë, mbetur në aqsa udhëtim.
Unë eca ritmikisht drejt copëtimit tim të ujtë,
Duke e ditur se ekzistenca është kohë me një kalim.
Do ta kryeja këtë udhë sido që të ish e shkruar,
Pa ndalesë e ikje nga kahu i vetëm.
Por detit i dhashë vetveten më të mirë,
Dhe matanë kësaj vete, iluzive është një tjetër.
Guri im ku do zhbëhem si një përplasje e pavlerë,
Ti do të jesh stoik dhe pas shuarjes sime.
Nga cikli i përjetshëm dhe kurrë i ndërprerë,
Gurtësisë shtoi dhe shumë kohë qëndrime.
Afrohem drejt teje me ritëm uji e shkume,
Do të vdes me bindje dhe aq sa kam fuqi,
Nuk pres asnjë meshë Njeriu në brigje,
Shkuma pas meje, e vetmja liturgji.