Pasurim i fondit muzeor
Ditën e sotme, në ambietet e Muzeut Historik Fier, skulptori Gjergji Toska dhuroi për këtë institucion të ruajtjes dhe promovimit të kulturës dhe memorjes kolektive, bustin e ciceronit të parë të Apolonisë, Pilo Samarxhiut. Vepra anonime e titulluar ‘’Ciceroni i Apolonisë’’ ruhej prej kohësh në fondin e veprave artistike të këtij skulptori.
Për tu theksuar është se, Pilo Samarxhiu, ka qenë vitet 1933-1938 kryepunëtor i Misionit Arkeologjik Francez që drejtohej nga Leon Rei në Apoloni. Dhjetë vjet më vonë, me rifillimet e gërmimeve arkeologjike në këtë qytet antik, ai do të angazhohej duke punuar përsëri pranë ekspeditave arkeologjike shqiptare. Në vitin 1958, kohë kur u hap Muzeu Arkeologjik i Apolonisë, Pilo Samarxhiu, nisi punën si ciceroni i parë i tij. Në këtë muze ‘’Xha Pilo’’, siç njihej nga të gjithë punoi deri në vitin 1971, kohë kur vdekja e ndërpreu nga puna në moshën 88 vjeçare. Për këtë personazh kanë lënë përshkrimet e tyre disa nga personalitetet e kulturës shqiptare si, arkeologët Hasan dhe Neritan Ceka, shkrimtari Ismail Kadare, publicisti Kristaq Shtëmbari, etj.
Falenderojmë skulptorin Gjergji Toska për kontributin e tij pasurimin e fondit muzeor të Muzeut Historik Fier.