“Entuziazmi” dhe cinizmi i Kryeministrit për të ardhurit afganë
Ndonëse nuk kanë mbërritur ende në Shqipëri, qarqe pranë Kryeministrit Edi Rama, po tregojnë që afganët që pritet të vijnë në këtë shtet të Ballkanit nuk janë njerëz të pakualifikuar nga pikëpamja profesionale. Madje mbi të gjitha, ata janë njerëz të cilët dikur kanë punuar në radhët e ushtrisë amerikane, e cila ka qëndruar në Afganistan për 20 vjet, që prej vitit 2001. Por amerikanët u detyruan të largoheshin nga vendi përballë kundërshtarëve talebanë në përpjekje për të shpëtuar si stafin ashtu edhe bashkëpunëtorët e tyre vendas. Dhe mesa duket po merren masa që amerikanët të largohen të padëmtuar.
Të mërkurën, Bashkimi Evropian u shpreh se talebanët kanë fituar luftën dhe Brukseli është i gatshëm të bisedojë me qeverinë e re të Kabulit që ka zbritur nga malet. Ata janë të shqetësuar për vërshimin e pritshëm të refugjatëve.
Ndërsa në Tiranën zyrtare ka një “entuziazëm” për kontingjentin afgan që pritet të zbarkojë në aeroportin e Rinasit, diçka u shty, në disa raste për shkak të situatës kaotike në aeroportin e Kabulit.
“Ata janë njerëz që kanë punuar me ushtrinë amerikane. Janë njerëz që kanë jetuar në harmoni me Perëndimin. Kanë zotësinë dhe mjeshtërinë që i bëjnë të përshtatshëm për shoqëritë tona”, tha një burim pranë Kryeministrit të Shqipërisë duke folur të mërkurën për rrjetet sociale.
Për më tepër, ai sqaroi që ata nuk janë njerëz që vijnë direkt nga malet e Afganistanit dhe zbresin në Evropë, dhe nuk gjenden aty si “peshku pa ujë”.
Tek lexon këtë mesazh, është fare e qartë se kujt i drejtohet, madje edhe me urrejtje: atyre që kanë zbritur nga malet e Shqipërisë së veriut. Me ç’duket ky mesazh do të thotë që ata që kanë zbritur nga malet e Shqipërisë duhet të vazhdojnë të largohen nga Tirana, nga Durrësi dhe nga jugu, pasi sipas këtij mesazhi, afganët që po vijnë kanë cilësi që i bëjnë më të përshtatshëm për këtë shoqëri.
Ai gjithashtu bën të ditur se edhe nëse afganët qëndrojnë, Shqipëria nuk është një shoqëri, përbërja etnike e së cilës rrezikohet nga ardhja e tyre.
Tri dekada më parë, pasi pa Shqipërinë përpara rënies së diktaturës, gazetari amerikan, Marwin Stone shkroi se nëse kufijtë shqiptarë hapen, edhe breshkat do të donin të largoheshin.
Mirë pra, “breshkat” shqiptare vazhdojnë të ikin dhe përbërja etnike e këtij vendi demek nuk rrezikohet, por siç pretendohet zyrtarisht, afganët që mund të vendosen në Shqipëri kanë shenjën e “shërbimeve” në ushtrinë amerikane dhe janë njerëz që përshtaten mirë me perëndimorët. Mesa duket ata do të mbushin boshllëkun në këtë vend ballkanik së bashku me muxhahedinët, sirianët dhe popujt e tjerë nga vendet e trazuara të botës.