Kryeministri Edi Rama u dha shqiptarëve një mesazh të rëndësishëm sot, që lidhet me krizën energjetike, që sipas tij, ka prekur gjithë tregjet botërore.
“Vala goditëse e një tjetër fatkeqësie natyrore, e kombinuar me faktorë gjeo-politikë e tregtare, po vjen drejt Shqipërisë. Nuk është as tërmet as virus, e lavdi Zotit nuk kërcënon jetë njerëzish, por në aspektin ekonomik, ka një energji negative, që mund të ketë efekte negative tek njerëzit, bizneset e shoqëria. Kjo është kriza e jashtëzakonshme energjetike që sapo ka nisur të japë goditjet e parë, duke nisur që nga Kina, e Korea e Jugut, në Amerikë, në Britani dhe hapësirën e BE dhe deri tek vendet fqinje si Italia e Greqia.
Temperatura e kësaj krize po rritet kudo. Tani më me orë, e jo më me ditë. Ulja e temperaturave të motit, po afron me dimrin e me nevojën për ngrohje. Tamam kur shpresat për kthim në normalitet pas tragjedisë së pandemisë ishin afër, kjo krizë e re na vendos para një sprove të re po aq të fortë në aspektin ekonomik. Dukuria e rritjes marramendëse të çmimit të gazit dhe karbonit në të gjitha tregjet ndërkombëtare, si dhe trendi i fortë i rritjes së çmimit të naftës, qëndrojnë përpara dimrit të vështirë.
Rritja e kërkesës pas hapjes së ekonomisë, ka rritur kërkesën për energji, duke vënë në vështirësi edhe kolosët ekonomikë të planetit, që nga Kina deri në Europë, kjo ka detyruar për rritje marrëmëndese çmimesh. Nevoja e tejrritur për energji kanë rritur çmimin e gazit me 250%, çmimin e karbonit me 80%, nafta nga 60 dollarë për fuci, në 80 dollarë tani që flasim, e mund të arrijë në 100 dollarë për fuçi,” tha Rama.